
Ushtria ukrainase ka nisur një ofensivë madhore kundër separatistëve në fortesat e tyre në lindje të vendit.
Mësymja e trupave të Kievit ka për qëllim rimarrjen e qyteteve të rëndësishme nga ana strategjike si Donjecku dhe Luhansku, ku kanë shënuar përparim në disa fronte.
Nga terreni mbërrijnë informacione për luftime të mirëfillta. Të shtunën e shkuar ushtria vuri në nën kontroll qytetin Slovjansk. Që nga ajo kohë ajo po përpiqet të rrethojë separatistët në Donjeck dhe Luhansk për t’i dëbuar nga këto rajone.
Separatistët e kanë refuzuar disa herë armëpushimin e ofruar nga presidenti ukrainas Petro Poroshenko. Rusia, në sytë e komunitetit ndërkombëtar mbeshtetëse e militantëve në lindje të vendit fqinj, shprehet e shqetësuar për vazhdimin e dhunës në Ukrainën lindore dhe për shtimin e valës së refugjatëve.
Putini e diskutoi me Këshillin Kombëtar të Sigurisë gjendjen e krijuar në rajonet lindore të Ukraines, ku shumë njerëz po përpiqen të largohen nga frika e luftimeve dhe sulmeve ajrore.
Amnesty International: Rrëmbime dhe tortura në lindje të vendit
Amnesty International deklaron se ka mbledhur të dhëna dhe prova për
rrahje barbare dhe tortura të tjera të ushtruara nga separatistët
pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Grupi i të drejtave të njeriut deklaron se protestuesit dhe gazetarët janë sulmuar sistematikisht nga rebelët në tre muajt e fundit. Raporti i Amnesty, “Rrëmbimet dhe Torturat në Lindje të Ukrainës”, thotë se qindra persona kanë rënë pre e dhunës.
“Shumica e rrëmbimeve organizohen nga separatistët e armatosur, të cilët ushtrojnë ndaj viktimave rrahje brutale dhe tortura. Por gjithashtu ka prova për një numër të ulët abuzimesh të bëra nga forcat pro-Kievit”, deklaroi përfaqësuesi i AI për Evropën dhe Azinë Qendrore, Denis Krivosheev.
Edhe forcat pro-qeveritare kanë kryer gjithashtu një numër të ulët abuzimesh, thotë organizata. “Ka ardhur koha të analizojmë atë që ka ndodhur dhe të ndalojmë këto praktika brutale”, theksoi Krivosheev.
Amnesty thotë se, edhe pse nuk ka shifra të sakta për numrin e rrëmbimeve, Ministria e Brendshme ukrainase ka raportuar rreth 500 raste mes prillit dhe qershorit 2014.
Organizata thotë se, Misioni i OKB për monitorimin e të drejtave të njeriut regjistroi 222 raste rrëmbimi vetëm në tre muajt e fundit.
Amnesty shton se ekipet faktmbledhëse sapo janë kthyer nga lindja e Ukrainës ku kanë intervistuar të mbijetuarit nga torturat nga të dyja palët e përfshira në konflikt.
Top Channel