Gaza, Izraeli: Do t’u rezistojmë presioneve

11/07/2014 00:00

Izraeli do t’i rezistojë presioneve të ndërkombëtarëve për të ndalur ofensivën ushtarake të ndërmarrë që prej së martës në Rripin e Gazas.

Ky ishte mesazhi i dhënë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i cili tha se deri më tani ushtria izraelite ka goditur mbi 1 mijë objektiva në Gaza dhe se po përdor dyfishin e forcës së përdorur në një operacion të ngjashëm në vitin 2012.

Më shumë se 100 palestinezë mendohet se kanë gjetur vdekjen deri më tani nga ofensiva izraelite, ndërkohë që nga Gaza vazhdon lëshimi i raketave drejt Izraelit.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmjetësojnë një armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama.

Situata rrezikon të përshkallëzohet pas lëshimit të një rakete nga jugu i Libanit në veri të Izraelit ku ushtria e shtetit hebre nuk nguroi të përgjigjej me zjarr artilerie.

Raketa nga Libani ra në afërsi të Metulës së ndodhur shumë pranë kufirit mes dy vendeve. Për momentin nuk dihet me saktësi se kush e hodhi, por Izraeli duket se nuk dëshiron të zgjatet me hamendësime e menjëherë e drejtoi gishtin nga qeveria libaneze.

Sipas agjencisë libaneze të lajmeve NNA, dy raketa janë lëshuar nga qyteti Mari, në jug të Libanit ndërsa hedhja e të tretës kishte dështuar. Forcat vendase të sigurisë kanë sekuestruar në atë zonë dy raketa të tjera e pajisje të tjera ushtarake. Nga sa pohon e njëjta agjenci, perdja e zjarrit të artilierisë izraelite goditi periferitë e lokalitetit Kfar Shouba.

Me rëndimin e situatës në rajon, Izraeli ka mobilizuar gati 30.000 rezervistë, siç pohojnë vetë zyrtarët e shtetit hebre. Kabineti i Benjamin Netanyahu ka autorizuar ushtrinë të përgatisë deri në 40.000 trupa, 10.000 më shumë nga sa u angazhuan në konfliktin e dy viteve më parë në Gaza.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Mark Regev, njësitë ushtarake tashmë janë dislokuar në terren. “Ne jemi gati për luftë, nëse kjo do të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.

Kufiri izraelito-palestinez ka qenë më së shumti i qetë që prej konfliktit të verës së vitit 2006, i cili vuri ushtrinë izraelite përballë militanteve të Hezbollahut shiit libanez.

Këtë muaj megjithatë, tensionet mes tyre u rishfaqën me vrasjen e dy luftëtarëve të Hezbollahut që mendohet se po përpiqeshin të vendosnin një bombë në afërsi të një zone të fortifikuar në Lartësitë Golan, një territor sirian i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967. 

Top Channel