
Qeveria irakiane njoftoi OKB-në se militantët sunitë kanë marrë nga një universitet i Mosulit materiale nukleare të përdorura për kërkime shkencore.
Në një letër të cilën ka mundur ta sigurojë Reuters, i dërguari i Irakut në Kombet e Bashkuara pohon se në duart e rebelëve ka përfunduar gati 40 kg uranium. Letra përmbante edhe një apel për komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojë të parandalohet përdorimi i këtyre materialeve nga terroristët në vend apo edhe jashtë kufijve.
Zyrtarët amerikanë e minimizuan rrezikun e situatës duke shprehur bindjen se nuk bëhet fjalë për uranium të pasuruar. Për më tepër, sipas tyre, rebelët do ta kishin të vështirë t’i përdornin lëndë të tilla për prodhim armësh.
Mosuli i ndodhur rreth 400 km në veri-perëndim të Bagdadit u pushtua muajin e kaluar nga kryengritës të udhëhequr prej grupit Shteti Islamik në Irak dhe Levant.
Letra e ambasadorit Mohamed Ali Alhakim vjen një ditë pasi zyrtarët irakiane konfirmuan se rebelët kishin marrë nën kontroll një fabrikë të papërdorur armësh kimike. Kompleksi Muthanna, jo shumë larg kryeqytetit, ka mbetje raketash të mbushura me gaz sarin e agjentë të tjerë nervore vdekjeprurës. Si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe Amerika u shprehën se municionet janë të papërdorshme, e për pasojë të parrezikshme.
Këto javët e fundit, militantët e ISIS-it kanë marrë territore të mëdha në veri-perëndim të Irakut, ndërsa vetëm gjatë muajit qershor, sipas OKB-së, nga aktet e dhunës dhe terrorizmi kanë humbur jetën mbi 2.400 irakianë më shumë se gjysma e të cilëve civilë.
Top Channel