
Mbi 20 persona janë vrarë në sulmet e fundit ajrore në Gaza, deklarojnë burime zyrtare palestineze, teksa Izraeli vazhdon ofensivën e tij.
Ministri palestinez i Shëndetësisë deklaroi se shumica e personave kanë humbur jetën nga sulmet ndaj shtëpive dhe kafeneve në Khan Junis, në jug, duke e çuar numrin e viktimave në 80.
Ndërkohë, militantët në Gaza vazhduan edhe gjatë së enjtes me sulmet me raketa ndaj Izraelit, ku në shumë qytete janë dëgjuar tingujt e sirenave të alarmit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon dha alarmin dhe paralajmëroi se situata në Lindjen e Mesme është “në tehun e thikës”.
Izraeli nisi operacionet e tij ushtarake ditën e martë, pas intensifikimit të sulmeve me raketa ndaj lëvizjes islamike të Hamas në Bregun Perëndimor, pas pengmarrjes së tre të rinjve izraelitë muajin e kaluar, të cilët më pas u gjetën të vrarë.
Kjo ngjarje solli rritjen e tensioneve, të cilat u intensifikuan pas vrasjes së një adoleshenti palestinez në shenjë hakmarrjeje vetëm pak ditë më vonë.
Ushtria izraelite deklaroi se ka sulmuar 108 objektiva që prej mesnatës dhe se 12 raketa ishin qëlluar në Izrael, shtatë prej të cilave të interceptuara nga sistemi i mbrojtjes Kupola e Hekurt.
Shteti hebre bëri gjithashtu me dije se objektivat e tij në operacion kanë qenë luftëtarët militantë, kampet e tyre, depot e armëve dhe tunelet që përdoren për kontrabandë.
Por ministri palestinez i Shëndetësisë tha se, 17 persona, mes të cilëve 5 fëmijë dhe 3 gra, humbën jetën në sulme ndaj një shtëpie dhe një kafeneje në Kahn Junis. Izraeli nuk i ka komentuar këto raste.
Top Channel