Ndue Dedaj – 70-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë ka ardhur me fillimin e vitit dhe kulmon me nëntorin.
Si qytetar i këtij vendi, që nderon historinë e kombit të vet, do të vendos edhe unë një kurorë modeste. Nuk di saktësisht se ku, por sa herë kujtoj Luftën, më vijnë ndërmend sytë e butë të Qemal Stafës, fshehur pas syzeve, idealiteti i tij rinor, freskia e moshës, qortimet e vjeshtës dhe besimi në një Shqipëri tjetër, do të thosha europiane. Po ku e ka memorialin? Dhe nëse ai ka rënë gjatë tranzicionit, ka sidoqoftë në mes të Tiranës disa objekte publike, një gjimnaz dhe një stadium me emrin e tij. Le të kthehet ky i fundit në një ditë të vetme në arenë manifestimi jubilar për Qemalin dhe shokët e tij të idealit, që e deshën këtë tokë me dashuri prej Krishti, derisa u martirizuan për të. Nuk është vetëm marksiste përkujtesa e tyre, është dhe e traditës, e besimit, qoftë dhe si “ditë e të shumëve”. Por nuk mund të mos shkosh dhe deri te “4 Shkurti” me kurorën tënde thurur me dashuri. Deri te Kodra e Kuqe dhe Vojo Kushi mbi tank, heroi ngadhënjyes i Tiranës. Shqiptari gjithherë ka gëzuar për fitoret e mëdha, duke brohoritur e shti pushkë me batare në kalatë qytetëse në ditët e Pavarësisë etj. Por kurora s’ka si të mos vejë dhe në Vig të Mirditës, ku u vranë në pritë në pabesi 5 partizanë heroikë: Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Ndoc Deda, Hydajet Lezha. Sa herë kaloj asaj ane, ndalem buzë zallit të Vomës, a lumit të Gjadrit dhe në kokë më vijnë vargjet e një balade sa të shkruar aq të pashkruar për ta. Por si mund të rrish pa kërkuar në këtë jubile Dino Kalenjën, një poet hero, që kohët e fundit na e ka zbuluar më të plotë Moikom Zeqo, përfshi dhe njohjen me Kuazimodon, nobelistin italian të vitit 1959, me të cilin Kalenja kishte dalë dhe në fotografi. Ky djalosh shqiptar ikën nga vendi i triumfit të fashizmit dhe vjen e lufton për lirinë e popullit të tij, kur mund të rrinte atje dhe të bënte jetë studentore deri sa Shqipëria të çlirohej. Por zgjodhi, si dhe të tjerë shqiptarë që gjendeshin atje, llogoren me barut të atdheut që digjej në flakët e luftës. Inkursioni ynë vazhdon me përnderim për të tjerë çlirimtarë, se është diku dhe Ramize Gjebrea, e heshtur, e tradhtuar dhe e ndëshkuar nga shokët e armëve, jo ata që ranë, por ata që rrojtën dhe këtij vendi i vendosën mbi krye diktaturën, si një kupolë bunkeri, në vend të verdiktit partizan të lirisë. Ata e kthyen pushtetin popullor në bankë përfitimesh për vete, familjet, farefisin, bijtë dhe nipërit. Por le të ecim më tej, në kërkim të atyre që ua kemi borxh një kurorë, dhe pse mund të mos jenë më në këmbë lapidarët e tyre, si borizani dëshmor Naum Thomollari, që ra në Shpal në vjeshtën e vitit 1944, pak ditë para çlirimit, duke lajmëruar agimet e një bote të re, asaj që ai besonte se do të vinte, ashtu si një partizane e vogël nga Vunoi me emrin Eftihi Bako që u shua si një yll i kaltër në bjeshkët e Oroshit apo të rënët e Luftës së Gëziqit.
Kujtesa jonë është e mbushur me partizanë dhe mund të ketë qenë gjëja më e mirë që na ka ndodhur në fëmijëri. Kësaj here ajo nuk do të ndalet vetëm në rrëfimet, zjarret dhe shtegtimet partizane nga Konispoli në Vermosh (siç thuhej dje), por do të shkojë shumë më larg, atje ku për gjysmë shekulli nuk mund të shkoje me këmbë, por vetëm me shpirt, në Kosovën e partizanëve të ‘44-s, por dhe të luftëtarëve të ‘99-s, që na ngjan si një Luftë Nacionalçlirimtare e dytë, me Jasharajt e pavdekshëm. Ashtu si dhe në Çamërinë martire, ku luftonte batalioni partizan me emrin e saj; një kurorë e ndritur për çamët, një popull të tërë legjendar, që pas gijotinës fashiste greke u dëbua nga trojet e veta me të madh e të vogël.
***
Por inkursioni ynë do të hasë dhe në ca memorialë nacionalistësh që luftuan për lirinë njëlloj si partizanët, por që lavdia u shkoi vetëm këtyre të fundit. Do të kishim dashur të kishte ndonjë studim të mirëfilltë për këtë kontribut të nacionalistëve. Ka qenë viti 1994 kur kam njohur Ndue Zef Ndocin, që kishte luftuar në Burrel në ‘44-n kundër pushtuesve nazistë dhe ndihej krenar për këtë, tjetër se prej regjimit komunist ishte detyruar të linte atdheun me gjithë vëllain dhe të përfundonte në Gjermani si emigrant politik. Kishte qenë shtëpi e parë, djali i bajraktarit të Spaçit, por as atij, as të tjerëve nacionalistë si ai nuk iu njoh merita e luftës antifashiste, ngaqë nuk ishin komunistë. Ata kishin luftuar për Shqipërinë dhe jo për partinë, që asokohe ishte ilegale. Nuk ka si të mos kujtohesh kësaj here për një kurorë të merituar dhe për një burrë tjetër të dëgjuar të maleve tona, Pashk Currin nga Fushë-Arësi, që ishte ushtarak karriere i kohës së Monarkisë dhe poet i flamurit, që e kishte përgëzuar vetë Asdreni për vjershat e tij patriotike. Ky nacionalist trim udhëhoqi Çetën Pukë – Mirditë për disa vite, bashkëpunoi ngushtë me partizanët, ishte një uragan i pandalshëm i lirisë, për çka i internojnë familjen, gruan dhe fëmijët. Por nuk bëhet komunist, pasi ishte nacionalist i bindur, ndaj asgjë nuk vlente, asnjë meritë nuk i njihet, as sakrificat e shumta dhe përfundon si gjithë të tjerët e sërës së tij, në burgjet e regjimit komunist për gjithë jetën. Për paradoks, ishte dhe ky “çmimi” i lirisë për disa, ata që nuk e vunë yllin e kuq në ballë dhe se ishin po aq atdhetarë sa të tjerët. Oficerët e misioneve britanike gjatë Luftës shkruajnë se shumë nga partizanët ishin nacionalistë, deri 25 për qind e tyre, po dhe shumë drejtues të formacioneve partizane, veçse këta kishin frikë të deklaroheshin hapur. Mundet që deri në fund mbeti vetëm njëri nga ata, Myslim Peza, si ikonë e nacionalizmit shqiptar, natyrisht me njëfarë “ngjizjeje” me komunizmin, pa të cilën nuk mund të mbijetohej. Por nostalgjikët dhe të indoktrinuarit nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë të historisë, si me thënë, nacionalizmin partizan, për ta gjithçka fillon me “fantazmën e kuqe” që shëtit nëpër kontinente…
Por, si mund të ishte Lufta edhe nacionalçlirimtare, edhe pa nacionalistët!?
***
Në të vërtetë, sivjet janë dy përvjetorë luftërash, njëqindvjetori i Luftës së Parë Botërore dhe 70-vjetori i Luftës së Dytë, posaçërisht i çlirimit të vendit. Të dyja zgjatën afërsisht njësoj, të dyja me nga dy-tre pushtues radhazi njëri pas tjetrit, të dyja me dëshmorë, po ata të së Parës thuajse nuk njihen. Të dyja me veteranë të kohëve përkatëse, më shumë të vdekur se të gjallë. Me një brez njerëzor të ardhur në jetë mes dy luftërave, njëlloj “brezi i humbur”, që nënkuptonte dhe faktin se kush nuk kishte lindur ende në të Parën, mund të luftonte në të Dytën, siç kishte nga ata që kishin qenë luftëtarë në të dyja. (Në Qafë-Vorrëz është një pllakë e thjeshtë ku lexohet: “Prengë Zef Përdeda. Kaçinar. Rënë gjatë Luftës së Parë Botërore”.) Ato dy luftëra, sot me të vetmin ndryshim, e Para nuk ka të “mbartur” asnjë problem ideologjik, pasi nuk rrojnë më protagonistët e saj dhe kësisoj nuk i shërbejnë udhëheqësisë së sotme, kurse e Dyta është problemi vetë. Por vetëm i politikës. Jo i popullit.
Jemi nisur me kurorën tonë me mbishkrimin: “Dëshmorëve të Kombit (mbase togfjalëshi më i shenjtëruar) pa dallim krahine, ideje, feje, kohe, kombësie”. Një kurorë nga një qytetar i thjeshtë, privatisht, në nder të Luftës, paçka protokollit zyrtar, qeveritar, bashkiak, paçka asaj nëse prapë do të sillemi rreth fabulës groteske politike 28 apo 29 Nëntor? Por dhe t’u themi nxënësve se ka pasur këngë partizane dhe se është mirë t’i dish ato dhe nëse (padrejtësisht) nuk i kanë tekstet shkollore. Historia është histori dhe nuk mund t’i heqim asaj do copa këndej e do andej, as ta fashojmë e retushojmë si të jetë më e përshtatshme për pragmatizmin e sotëm politik. Të kesh qenë partizan është nder, të jesh sjellë pas Luftës si “bashibozuk” kjo është tjetër gjë. Lufta vërtet kishte dhe komunizëm brenda, por në themelin e saj ishte antifashizmi, një fushëbetejë dhe e shteteve jokomuniste të rruzullit. Aleanca kundër fashizmit e nazizmit ishte dhe amerikane, edhe angleze, edhe franceze, edhe austriake, siç ishte dhe ruse, shqiptare, jugosllave. Një kurorë për partizanët nuk do të thotë një “kurorë” dhe për diktaturën që u vendos më pas në emër të partizanëve dhe lavdisë së dëshmorëve. Një kurorë për Luftën do të thotë detyrim mirënjohës për idealistët e mëdhenj çlirimtarë, edhe ata që më pas ndërtuan shkolla, uzina e hidrocentrale, por assesi jo për pashallarët e kuq që konstruktuan “Bllokun”, parajsën e lume për vete e ferrin politik të të tjerëve.
Nuk do të çojmë lule te dëshmorët këtë jubile të ndarë, nuk e kemi këtë të (pa)drejtë ne pasardhësit. Tek ata mund të vemi vetëm bashkë ose hiç. Nuk u duhen atyre lulet e këtij lloj pluralizmi, ca të shtunën, ca të dielën, ca në pranverë, ca në vjeshtë. Na lypet t’i dëgjojmë e të mos i lëndojmë të paktën këtë herë!
Top Channel