
Përgjatë gjithë ditës së djeshme, raketat e militantëve të Hamasit kanë vënë në shënjestër qytetet izraelite e shteti hebre i shtoi sulmet mbi Gaza, duke rritur dhe bilancin e jetëve të humbura në të paktën 20.
Benjamin Netaniahu u zotua ta përforcojë mësymjen kundër lëvizjes islamike dhe atyre që i quajti organizata terroriste në këtë territor. Por edhe pse avionët e Izraelit vazhdojnë goditjen e objektivave në enklave, rritja e numrit të vdekjeve në radhët e palestinezëve dhe alarmi që ka dhënë komunitet ndërkombëtar, lënë të kuptohet sipas ‘Neë York Times’ se nuk do të ketë një operacion ushtarak të shkallës së vitit 2008, që zgjati tre javë e mobilizoi edhe këmbësorinë.
Që prej ditës së shtunë, në Gaza janë vrarë 53 vetë, ndërsa nga ana e Izraelit nuk ka asnjë humbje. Qeveria izraelite po përballet aktualisht me kritika të ashpra nga Bashkimi Europian e Jordania, si dhe vetë presidentit i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Numri një i Kombeve te Bashkuara, Ban Ki Moon, bëri thirrje për frenim nga të dyja palët.
“Kjo është një prej sprovave më kritike me të cilën rajoni është përballur gjatë këtyre viteve të fundit. Përkeqësimi i situatës po çon drejt një spiraleje dhune e cila shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit dhe Gaza nuk e përballon dot një luftë të mirëfilltë”, tha Ban Ki Moon.
Nisur nga numri i madh i viktimave në Gaza, Abaz deklaroi se Izraeli “po nis një luftë të vërtetë kundër popullit palestinez” dhe e akuzoi shtetin hebre për genocid. Izraeli pretendon se ka shënjestruar vetëm militantët dhe depo armësh, tunele të përdorura prej tyre si dhe qendra komande.
Top Channel