
Qeveria gjermane do të dëbojë nga vendi një përfaqësues të shërbimeve sekrete amerikane operativ në Berlin. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Komisionit të Bundestagut për kontrollin e shërbimeve sekrete, Clemens Binninger.
Dëbimi i përfaqësuesit të Uashingtonit vjen pas zbulimit të rastit që një agjent gjerman ishte rekrutuar nga CIA për të marrë informacione.
“Me Shtetet e Bashkuara po shoh një ndryshim parimesh shumë më të madh krahasuar me detyrat që kishin shërbimet sekrete pas luftës së ftohtë”, ka deklaruar kancelarja gjermane Angela Merkel.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi rastin e fundit të spiunazhit, kancelarja ka thënë se, në luftën kundër terrorizmit ka gjëra më të rëndësishme sesa përgjimi i aleatëve.
“Ka probleme më të mëdha, edhe se sfidat në Siri dhe me ISIS në Irak, të cilat për mendimin tim kanë më shumë prioritet sesa përgjimi ndaj aleatëve”, ka thënë Merkel.
Sipas saj, mungesa e besimit tek aleatët ishte vetëm kur vendet ishin të ndara në divizione dhe të vendosura kundër njëra-tjetrës.
“Por sot në shekullin XXI duhet të pyesim veten se cilat janë detyrat e shërbimeve sekrete. Sot kemi kërcënime të reja asimetrike dhe besoj se në këto kohëra, shumë më të paparashikueshme, krijimi i besimit mes aleatëve është diçka jetike”, ka shtuar kancelarja.
Top Channel