
Qindra mijëra persona kanë marrë pjesë të mërkurën në tubime dhe marshime të zhvilluara në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një aksioni njëditor nga sindikatat e shërbimit publik.
Mësues, zjarrfikës dhe këshilltarë bashkiakë kanë qenë mes personave që iu bashkuan grevës, që erdhi pas një seri përplasjesh me qeverinë mbi pagat, pensionet dhe shkurtimet.
Ndërkohë, mijëra nxënës braktisën mësimin dhe shumë shkolla qëndruan të mbyllura, veprim ky i cilësuar si “i papërgjegjshëm” nga qeveria.
Përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave ka deklaruar se, punëtorët dolën në grevë “për të thënë se mjaft është mjat”. Greva solli në çoroditjen e shumë shërbimeve në mbarë Britaninë.
Ende nuk dihet numri i saktë i personave që i janë bashkuar asaj, por krerët e sindikatave deklaruan më herët se prisnin që të merrnin pjesë mbi 1 milion punëtorë.
Ndërsa një zëdhënës i qeverisë tha se shumica e punëtorëve të sektorit publik u paraqitën në punë dhe se pjesa dërrmuese e shërbimeve funksionuan si zakonisht.
Sipas burimit, i cituar nga BBC, një në pesë punëtorë, më pak se 90 mijë njësi, ishin në grevë, 717 qendra punësimi nuk u prekën nga greva dhe shumica e shkollave në Angli dhe Uells ishin të hapura.
Gjithashtu, Shoqata e Qeverive Lokale deklaroi se rreth 95 për qind e stafit të këshillave bashkiakë në mbarë Anglinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut ishin në vendet e punës.
Top Channel