Rusi, fund orës së përjetshme të verës

09/07/2014 00:00

Këshilli i Federatës Ruse vendosi t’i japë fund orës së përjetshme të verës dhe, në Tetor, orët do të ndryshohen përsëri. Me këtë merr fund një nga reliket e epokës së Dmitry Medvedev-it.

Një nga projektet më të dashura të ish-presidentit rus ishte vendosja e orës së verës, si orë e përhershme në Rusi, thotë “Deutsche Welle”. Arsyeja, sipas tij, ishte fakti që një lëvizje e tillë mund të konsiderohej e shëndetshme për trupin e rusëve.

Përveç kësaj, gjatë ditës, drita mund të përdorej më mirë dhe të kursehej energji. Dhe, meqenëse në Rusi nuk u ndryshua më ora, në veri të saj, siç ishte rasti i Shën Pjetërburgut, filloi të bëhej ditë vetëm në orën 11.

Rezultati: rusët nuk ndjeheshin mirë dhe, madje, edhe Putin u ankua se ndihej i lodhur në mëngjes. Ora e verës ishte një nga trashëgimitë e pakta dhe të fundit nga koha e Medvedev-it si president. Por, edhe nga projektet e tjera të reformës, për të cilat ish-presidenti kishte bërë publicitet, nuk ka mbetur shumë.

Kur Medvedev u zgjodh në vitin 2008 si president i Rusisë, shpresat ishin të mëdha dhe ai konsiderohej si “reformator”. Por, Medvedev nuk i mbajti premtimet e tij të mëdha për modernizimin e gjerë të aparatit shtetëror rus.

Edhe privatizimi i sipërmarrjeve shtetërore dështoi, sikurse dhe zgjedhjet e drejtpërdrejta të guvernatorëve nuk mbijetuan pas ndryshimit të qeverisë.

Në vitin 2012, kryeministri dhe presidenti shkëmbyen vendet dhe, me propozim të Medvedev-it, siç u tha, Putin kandidoi përsëri në zgjedhjet presidenciale në Mars të atij viti. Tashmë shefi i Kremlinit është më i fortë se kurrë në postin e tij, e ngadalë-ngadalë po fshin edhe ato pak gjurmë, që la parardhësi i vet.

Top Channel