
Qeveria e sheh mëse të domozdoshme ndërhyrjen e Parlamentit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Një ditë pasi në emër të ekzekutivit ministri Bledi Çuçi i apeloi legjislativit të marrë në dorë situatën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilën e konsideron të papranueshme dhe të patolerueshme, ai sqaron për Top Channel çfarë ka parasysh qeveria.
“Minimumi Parlamenti duhet të thërrasë e t’u kërkojë llogari anëtarëve që ka deleguar vetë. Por pa diskutim ka vend edhe që ne të rishikojmë gjithë sistemin se si është organizuar drejtësia”, deklaron Çuçi.
Ajo që mbledhja e së hënës tregoi, ku u rrëzua në bllok propozimi i ministrit Naço për pezullimin e gjyqtarit Gjin Gjoni, i akuzuar për fshehje, mosdeklarim dhe mosjustifikim të pasurisë, për qeverinë është rasti më flagrant sesi ata që janë në krye të sistemit të drejtësisë mbrojnë njëri-tjetrin duke u shndërruar në të paprekshëm. Për këtë shkak reforma në drejtësi për qeverinë do të prekë dhe mënyrën sesi është kompozuar KLD-ja.
“Shumica dërrmuese e anëtarëve vijnë nga vetë sistemi, kështu që ka konflikt interesi. Dhe ata shmangin çdo masë disiplinore për njëri-tjetrin. Në raste të tilla po shohim që kjo trupë KLD-je po mbron veten e saj dhe kërkon të bëhet e paprekshme. Pa diskutim që duhet të ketë një rikonceptim se si kompozohet sistemi i drejtësisë”, nënvizon Çuçi.
Për ministrin që është njëkohësisht edhe koordinatori kombëtar i anti-korrupsionit, as në rastin e votës për Gjin Gjonin presidenti i Republikës nuk tregoi se ishte mbi palët kur gjithashtu votoi kundër propozimit të ministrit Naço pezullimin e këtij gjyqtari.
“Të paktën në këtë rast ai duhet të abstenonte, sepse ai përfaqëson edhe ILDKP-në dhe atë që ka iniciuar këtë masë disiplinore. Ai ka zgjedhur që të shkelmojë njërin dhe të mbrojë anëtarin e KLD-së. Kjo është e pavend nga presidenti. Minimumi që mund të bënte është të ishte abstenimi”, shprehet Çuçi.
Ministri Çuçi thotë se debati do të jetë i gjerë dhe gjithëpërfshirës, ku opozita gjithashtu do të jetë pjesë e tryezës së reformës që do të asistohet nga misioni i ri i BE, Euralius, reformë që ai thotë se synon t’i japë fund dy statistikave dramatike, perceptimit të publikut në masën 90% se sistemi i drejtësisë është më i korruptuari në vend, si dhe nënvizimeve të raporteve ndërkombëtare që e shënjestrojnë si të tillë.
Top Channel