Përballja SHBA-Kinë

09/07/2014 00:00

Përplasja me Shtetet e Bashkuara do të ishte një katastrofë, e me këtë pohim presidenti kinez Xi Jingping la të kuptohet se Pekini nuk dëshiron të vendoset në kurs konfrontimi me Amerikën, ndërsa i mëshoi nevojës per respekt reciprok mes dy kombeve.

Komentet e tij, kreu i shtetit kinez i bëri gjatë bashkëbisedimeve vjetore SHBA-Kinë, takim i mbajtur në kryeqytetin kinez. Për presidentin Xi, interesat e dy vendeve janë sot më të ndërlidhura se kurrë më parë, e – siç tha, – edhe përfitimet nga bashkëpunimi mes tyre do të ishin të mëdha.

“Duhet ta respektojmë njëri-tjetrin, e ta trajtojmë si të barabartë. Duhet të respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, e zgjedhjet e secilit për rrugën e zhvillimit që ndjek. Duhet të shmangim imponimin e mendimit dhe modeleve. Bashkëpunimi amerikano-kinez, nga ana tjetër, mund të jetë një arritje, nga e cila të përfitojnë të dyja palët, si dhe e gjithë bota”, tha Xi Jingping, president i Kinës.

Delegacioni amerikan drejtohej nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili tha në fjalën e hapjes se Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen ta frenojnë Kinën.

“Lejomëni ta bëj të qartë sot, se Shtetet e Bashkuara nuk duan ta ndalojnë Kinën. Ne përshëndesim një Kinë paqësore, të stabilizuar e të begatë, e cila të kontribuojë në qëndrueshmërinë e zhvillimin e mbarë rajonit dhe një Kinë, që zgjedh të luajë një rol të përgjegjshëm në çështjet ndërkombëtare”, tha John Kerry, Sekretar i Shtetit, SHBA.

Deklarata të tilla pajtuese publike janë të zakonshme në bisedimet vjetore. Por, në takimet private, delegacionet trajtojnë çështjet nevralgjike, që i kanë sfiduar në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet dypalëshe.

Top Channel