Izraeli i kundërpërgjigjet Hamas-it

09/07/2014 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pas takimit me zyrtarë të
lartë të Mbrojtjes, deklaroi se do të “intensifikohen më tej sulmet nga
ana e tyre kundrejt Hamasit”, në Rripin e Gazës.

Ai tha se militantët palestinezë do “të paguajnë një çmim të rëndë” për sulmet e tyre me raketa në Izrael. Zëra nga ushtria izraelite thonë se Hamasi kishte lëshuar 72 raketa në qytetet izraelite, pas dhjetra sulmesh ajrore, që u kryen në Gaza brenda natës.

Rreth 40 persona janë raportuar të kenë humbur jetën në luftimet e fundit. Policia bëri me dije se gjysma e viktimave ishin civilë, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë.

Tensionet u rritën javën e kaluar, me vrasjen e tre izraelitëve të rinj në Jeruzalem. Të tjera raketa palestineze kanë goditur qytetet izraelite dhe, gjatë natës, bombardimet ajrore në Gaza nuk kishin fund.

Situata në rajon ka hyrë në një spirale të re dhune, duke spostuar vëmendjen e medias nga avancimet e ISIS-it në Irak apo rebelimi sirian. Konflikti izraelio-palestinez, këto ditë është sërish në plan të parë.

Top Channel