Hamas godet me raketa

09/07/2014 00:00

Të tjera raketa palestineze kanë goditur qytetet izraelite gjatë natës, ndërkohë që bombardimet ajrore në Gaza nuk kishin fund. Situata në rajon ka hyrë në një spirale të re dhune, duke spostuar vëmendjen e medias nga avancimet e ISIS-it në Irak, apo rebelimi sirian.

Konflikti izraelio-palestinez këto ditë është sërish në plan të parë. Katër raketa të militantëve ranë në jugun e Izraelit mbrëmjen e djeshme dhe zjarri i mortajave vazhdoi edhe mëngjesin e sotëm.

Dy predha u asgjesuan nga ushtria izraelite pa mbërritur në Tel Aviv, por mjaftuan sidoqoftë për të treguar sesa larg kanë nisur të mbërrijnë raketat palestineze. Përgjigjia e shtetit hebre ishin plot 160 sulme ajrore mbi Gaza.

Bilanci i viktimave në mesin e palestinezëve, sipas autoriteteve vendore, tani llogaritet në 25 të vdekur e mbi 70 të plagosur. Në mesin e të vdekurve janë edhe katër gra e tre fëmijë. Krahu ushtarak i Hamasit deklaroi se nga ky moment, të gjithë izraelitët pa përjashtim do të jenë shënjestra të tij.

Teksa temperatura e luftës sa vjen e rritet, për ekspertët bëhet gjithmonë e më i vështirë profetizimi i fundit të kësja loje rreziku mes Izraelit dhe Gazës.

Hamasi do ta ketë të vështirë të largohet prej këtij raundi konflikti pa veprime që ta bindin popullin se vdekjet dhe shkatërrimet në Gaza kanë marrë shpagim. Më e pakta do të kërkojë lirimin e militantëve të tij nga burgu, si pjesë e marrëveshjes me Izraelin.

Por autoritetet hebraike do të ngurrojnë. Presioni publik rëndon fort edhe mbi Izraelin, që kishte vënë si kusht për bisedimet fundit kërcënimin raketor nga Gaza.

Të tillë qerthuj konflikti në të shkuarën janë mbyllur siç ndodhi nëntorin e 2012-s, por tani flitet për një përkeqësim të menjëhershëm të situatës kur vetëm një javë më parë në diskutim ishte thjesht çtensionimi i marrëdhënieve mes dy palëve.

Për momentin duket se lëvizje drejt paqes nuk do të ketë. I pyetur nëse do të ketë rifillim të bisedimeve me palestinezet, një ministër i kabinetit izraelit u përgjigj shkurt dhe prerë: “Tani jo”.

Top Channel