
Qeveria franceze ka propozuar ndalimin e udhëtimeve për një periudhë 6-mujore, me qëllim ndalimin e qytetarëve të cilët shkojnë drejt Sirisë dhe Irakut, për të luftuar së bashku me militantët islamikë.
Zyrtarë të qeverisë thanë se dy deri në tre muslimanë të rinj largohen nga Franca çdo ditë, për t’iu bashkuar grupeve islamike jashtë vendit. Frika e zyrtarëve është se këta militantë do të mund të kthehen në rrezik për vet Francën.
Koordinatori kundër-terrorizmit në BE, Gille de Kerchove, njoftoi se ministrat e Brendshëm të 9 shteteve europiane kanë miratuar një plan veprimi për të identifikuar njerëzit që udhëtojnë.
Muslimanët e rinj, që planifikojnë t’u bashkohen grupeve militante si ISIS, ka raste që fillimisht udhëtojnë në fluturime turistike me kosto të ulët në Turqi, e më pas gjejnë mundësinë për të kaluar përtej kufirit me Sirinë.
Sipas projektligjit të ri, ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve do të jetë në gjendje për të imponuar një ndalim të rinovueshëm prej gjashtë muajsh të udhëtimit, për individët, të cilët janë identifikuar nga shërbimet e inteligjencës.
Pasaportat e këtyre njerëzve do të jenë nën skanim të vazhdueshëm nga autoritetet.
Top Channel