Sulme të reja ajrore mbi Gaza

08/07/2014 00:00

Pas raketave të lëshuara nga lëvizja islamike palestineze e Hamasit, Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të reja nga ajri. 9 persona, duke përfshirë dy fëmijë dhe një grua, raportohet të kenë mbetur të plagosur.

Tensionet janë rritur në Lindjen e Mesme që kur një adoleshent palestinez u vra duke u djegur i gjallë, në atë që dukej si hakmarrje për vrasjen e tre të rinjve izraelitë.

Shërbimet shëndetësore dhe ato të sigurisë thanë se 9 palestinezë janë plagosur, pasi një raketa ka goditur një shtëpi të një aktivisti të Hamasit në qytetin jugor të Khan Younis. Një zëdhënës i lëvizjes islamike palestineze akuzoi më herët Izraelin për vrasjen e 5 militantëve gjatë sulmeve ajrore të së dielës, duke thënë se ky veprim ishte një përshkallëzim i rëndë i situatës. Ai premtoi se Izraeli do ta paguajë shtrenjtë këtë veprim.

Ndërkohë, ushtria Izraelite tha se dhjetëra raketa janë lëshuar nga Hamasi në qytetet jugore dhe qendrore gjatë së hënës.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka siguruar familjen e adoleshentit të vrarë se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për kapjen e autorëve. Zyra e kryeministri tha se Netanyahu kishte takuar prindërit e 16-vjeçarit të vrarë, duke i shprehur ngushëllime.

Ditën e diel policia izraelite deklaroi se kishte arrestuar gjashtë izraelitë të dyshuar për vdekjen e 16-vjeçarit Mohammed Abu Khdair.

Top Channel