Arbër Zaimi – Dikush mund të shtrojë pyetjen, si ka mundësi që çohen dhjetëra mijë shqiptarë në Shkup e demonstrojnë për një rast gjyqësor, për të cilin ndërkohë janë duke u shprehur gjykatat.
Ç’duan shqiptarët vallë, të bëjnë gjyqësi prej demonstratave? T’i japin vendimet nga rruga? Ta ndikojnë drejtësinë me forcën e numrave?
Shqiptarët, nga ana tjetër, shfaqen tërësisht mosbesues ndaj gjyqësorit, e ndaj secilit pushtet tjetër në Maqedoni, po qe për atë punë. Rastin e koduar “Monstra” ata masivisht e denoncojnë si rast të montuar. Në fakt provat e paraqitura deri më tani për dënimin me burgim të përjetshëm të të akuzuarve shqiptarë duken të pamjaftueshme ose jo bindëse. Ose, kanë mjaftuar për të bindur gjykatat maqedonase, por jo atë pjesë të popullit që del të protestojë.
Në një shtet normal, gjykatat dhe institucionet e tjera shtetërore ndoshta do të duhet të gëzonin besim më të lartë. Edhe në këtë aspekt, Maqedonia sërish paraqitet si një shtet anormal. Në këtë kuptim duhet të lexohen protestat masive të 6 korrikut në Shkup, si shfaqje (për të kushedisatën herë) të mosbesimit, të dyshimit të thellë që kanë shqiptarët te shteti dhe pushteti maqedonas, të cilin nuk e shohin si shtetin e tyre. Është mosbesim i të njëjtit lloj me atë të viteve ’90 në Kosovë, ku shqiptarët vendosën të mos i çojnë masivisht fëmijët në shkollat e shtetit jugosllav, duke themeluar një rrjet paralel shkollash në bodrumet e shtëpive (ç’akt madhështor proteste – e ç’shembull vetadministrimi!). Në të dyja rastet, mosbesimi i shqiptarëve ndaj shtetit e pushteteve nuk lind vetvetiu nga fakti që janë shqiptarë (edhe pse ndoshta ndihmohet pak nga fakti se janë shqiptarë në shtete ku bariqendra etnike bie tjetërkund). Por, mosbesimi lind në radhë të parë nga e anasjella e vet, nga historia e gjatë (por jo e vjetër) e dyshimeve, e kundërshtimeve, e pengesave që vetë shtetet në fjalë kanë ushtruar ndaj shqiptarëve.
Mund të vërehet me të drejtë se analogjia e marrëdhënies së shqiptarëve të Maqedonisë me shtetin e atjeshëm me marrëdhënien e shqiptarëve të Kosovës me Jugosllavinë e Millosheviçit nuk qëndron. As Gruevski nuk është Millosheviç, as Maqedonia nuk është Jugosllavi, e as gjeopolitika botërore nuk ka të njëjtën qasje, kur vjen puna për çështjet e Ballkanit.
Por, ndryshimet janë vetëm rrethanore, dhe ndoshta përmasore (sasiore). Në fakt, Maqedonia e 12 viteve të fundit (pas konfliktit të brendshëm me shqiptarët), vazhdimisht e pa u ndalur e ka bërë të qartë mosbesimin e saj ndaj shqiptarëve, madje në mënyrë aktive.
13 vite më parë, më 5 korrik 2001, ndërkombëtarët arritën të ulin në tryezë palët ndërluftuese, nga një anë kryengritësit shqiptarë dhe nga ana tjetër përfaqësuesit e shtetit maqedonas, që ishin maqedonas etnikë. Nën presion palët u morën vesh për një kornizë që u nënshkrua në Ohër, në shtator të 2001.
Në këtë kornizë, shqiptarët heqin dorë nga pretendimet për zgjidhje territoriale të problemit etnik në Maqedoni, e njëkohësisht çarmatosen. Ndërsa shteti maqedonas merr zotime “perëndimoro-civilizuese” sa i përket përfshirjes, pranimit të gjuhës, mosdiskriminimit etj.
Që prej asaj kohe, shqiptarët masivisht janë çarmatosur edhe me ndihmën e ish-komandantit Ali Ahmeti, prej kohësh dorë e djathtë e qeveritarëve maqedonas, sidomos e Gruevskit. Ndërkohë që shqiptarët janë çarmatosur, shteti maqedonas ka rirregulluar deri diku ushtrinë – roli i së cilës është përgjithësisht ceremonial në një shtet të vogël, i cili kryesisht mbrojtjen rreket ta përfitojë përmes flirtimeve të vazhdueshme e të alternuara me SHBA dhe me Rusinë. Por, theksi më i madh është vendosur në investimet në forcat policore – si duket në përputhje me parimin “armikun kryesor e kemi brenda”. Policia dhe facilitetet e saj janë institucioni i parë ku përplasen shqiptarët, të reduktuar në “problem të pazgjidhshëm, që duhet menaxhuar”.
Policimi i shqiptarëve është i ngjashëm me policimin që u bëhej fjala vjen afro-amerikanëve në periudhat e lavdishme të betejave të tyre për të drejta, në shekullin XX. Njësoj si afro-amerikanët, shqiptarët e Maqedonisë janë getoizuar. Në qytetet e mëdha, ku kanë jetuar gjatë shekujve në bashkësi me etni të tjera, si p.sh. në Shkup a Kumanovë, tendenca është që të krijohen geto rurale apo periferike me shqiptarë. Krijimi i komunave si Likova thjesht përjashton shqiptarët nga vendimmarrja në Kumanovë, e gradualisht i përqendron ata në Likovë (ku e paskan në dorë vetë pushtetin), ndërsa në Shkup, lagjet e varfra semirurale si Saraji e Gazi-Baba, janë kampet e destinuara për shqiptarët. Në një qytet mesatar për nga madhësia, siç është Shkupi, mjafton të vizitosh tregjet e perimeve për të parë dallimin. Në tregun e maqedonasve mbizotëron rregulli e kujdesi higjienik, ndërsa në tregun e shqiptarëve të duket sikur ke zbritur në Kandahar menjëherë pas bombardimeve. Varfëri, mjerim, pisllëk dhe çorganizim. E natyrisht që kjo pastaj shndërrohet në argument kulturor, shqiptarët s’dinë të bëjnë më shumë se kaq, ata janë inferiorë për nga gjeni e nga kultura, ja shihi mbrëmjeve tek dalin nëpër rrugë të Shkupit me “Mercedesa” të zinj e me varëse floriri, duke ndjekur nga pas jetën e natës që mezi e kultivojnë maqedonasit e kulturuar, të cilët mbeten gjithë kohës në arratisje prej shqiptarëve brutalë. Shkupi si “Queen”, shqiptarët si “50 Cent”.
Getoizimi i shqiptarëve ka edhe dimensione të tjera. P.sh., gjimnazi Zef Lush Marku, që historikisht ka qenë në qendër të Shkupit, tash është zhvendosur në periferi, se nxënësit shqiptarë s’kanë ç’lypin në Shkupin e “xhentrifikuar” (purifikuar nga shqiptarët në fakt). Të njëjtët nxënës që herë pas here bien viktimë e huliganëve të maskuar, që i rrahin nëpër autobusë. Universitetet e mira publike nuk kanë pse ofrojnë mësim në gjuhën shqipe, shqiptarët le të dynden në Tetovë apo në Kosovë e Shqipëri, e le të marrin ndonjë diplomë të blerë lirë, se s’u vlen gjë tjetër. Muzeu i Kongresit të Manastirit le të zhvendoset në katin e dytë, e në kat të parë le të shiten hidrosanitare, rubinete dhe pllaka majolike për banja. Regjistrimi i popullsisë, i kontestuar prej shqiptarëve në 2002-shin, nuk përsëritet as pas 12 vitesh, ndërkohë që normalja duhet të ishte çdo 10 vjet. Mijëra shqiptarë të paregjistruar vijojnë të jenë de facto apatridë, sidomos në Maqedoninë veriore e qendrore. Lista mund të vazhdojë gjatë, me fenomene që dëshmojnë thelbin e angazhimit shtetëror të Maqedonisë ndaj shqiptarëve që jetojnë aty.
Maqedonasit kanë gjetur një “zgjidhje” të mirë për problemin, që është kapja e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Gjithçka që kanë bërë e kanë bërë me miratimin e BDI-së së Ali Ahmetit, dhe me kundërshtimin impotent të PDSH-së së Menduh Thaçit. Dy muaj para zgjedhjeve, Ali Ahmeti doli në opozitë dhe Menduh Thaçi u afrua me Gruevskin. Shqiptarët masivisht votuan Ahmetin, se menduan që ndryshoi. Por menjëherë pas zgjedhjeve, Ahmeti shkoi prapë në qeveri e Thaçi sërish në opozitë. Gjithçka si më përpara, me një Gruevski të palëkundshëm, e me një komunitet shqiptar të papërfaqësuar në hallet e tyre të mëdha. Në kushte të tilla, është e vlefshme të lexohet interpretimi i Kim Mehmetit, i cili komentoi për demonstratat e 6 korrikut se, pasi u janë uzurpuar institucionet publike dhe arsimore nga BDI-ja partnere e Gruevskit, pasi u janë uzurpuar sheshet nga përmendoret nacionaliste serbe e maqedonase, thuajse e vetmja agorë prej nga mund të nisë diçka, mbetet xhamia, problemi është se cilët faktorë e kontrollojnë atë çka nis që prej andej?
Kjo bëhet edhe më interesante po të shohësh se sa shumë xhami të reja ndërtohen në fshatrat e lagjet e shqiptarëve – me ndihmë nga shteti – krahasuar me numrin e munguar të shkollave e fabrikave. Projekt i vjetër ky i reduktimit të shqiptarëve në njerëz me fe e pa komb, projekt i përmendur shumë shpesh prej Çubrilloviçit e këndej…
Në kushte të tilla, shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të mos protestojnë. Ata jo vetëm që kanë të drejtën të protestojnë e të demonstrojnë, por kanë edhe detyrën për ta bërë një gjë të tillë. Aparteidi dhe diskriminimi i ushtruar aktivisht ndaj tyre nuk mund të mbulohet prej deklaratave të bashkëpunëtorëve shqiptarë të Gruevskit, që në këtë rast shërbejnë veçse si “token albanian”, paralel me “token blackmen”.
Po ashtu, është e rëndësishme që politika e Shqipërisë dhe e Kosovës, si vende që u takon të kujdesen për shqiptarët, të lidhen drejtpërsëdrejti me ta e jo përmes filtrave të BDI-së e PDSH-së. Shqipëria e Kosova do të duhet të zbatonte një program të gjerë komunikimi të drejtpërdrejtë në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët, të ndihte në organizimin e tyre politik e të investonte në emancipimin e tyre kulturor – në vend që të bëjnë thirrje të zbrazëta për qetësim. Nëse Maqedonia shihet si një çështje që i përket thjesht politikës së jashtme, atëherë Shqipëria e Kosova mund të ndodhë që shumë shpejt të gjenden përballë një situate të ngjashme me 1998-‘99.
Top Channel