Përkujtohet masakra e Borovës

06/07/2014 00:00

Ambasadori gjerman Helmut Hoffman në 71-vjetorin e homazheve të zhvilluara për Masakrën e Borovës në Ersekë, duke vlerësuar marrjen e statusit të vendit kandidat ka apeluar që Shqipëria të vazhdojë procesin e reformave.

Teksa ka shprehur respekt të thellë për familjarët e viktimave të kësaj masakre, ambasadori gjerman ka shprehur vlerësim dhe respekt të thellë për atë që ka ndodhur në këtë fshat nga dora e ushtarëve gjermanë, të cilët u morën jetën 107 personave mes të cilëve fëmijë, gra e të moshuar.

“Kjo masakër e ushtrisë gjermane është ngulitur thellë në kujtesën e Borovës dhe përtej saj. Për një gjerman nuk është e lehtë të vijë në një vend si ky. Nuk është e lehtë të vish në një vend ku bashkëkombësit e t’u para shumë vitesh kanë bërë krime të tmerrshme. Kur dëgjova për herë të parë rreth asaj që kishte ndodhur në Borovë në vitin 1943 , për mua ishte menjëherë e qartë se që në vitin e parë të punës sime si Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri do të merrja pjesë në ceremoninë përkujtimore të 6 korrikut. Ndaj ju jam sinqerisht mirënjohës që më ftuat të marrë pjesë në ceremoninë e sotme si dhe për faktin që mund tu drejtohem me disa fjalë përshëndetëse. Sot në gjermani zor se jetojnë ende njerëz që mbajnë përgjegjësi për këto krime dhe ne të paslindurit nuk jemi personalisht fajtorë për këtë. E megjithatë në vende si ky një gjerman ndjen turp. Fakti që tanimë ne, të gjithë së bashku gjermanë dhe shqiptarë, përballemi me të shkuarën në një ceremoni të tillë përkujtimore është një ndër mrekullitë e mëdha që bëhen të mundura përmes pajtimit. Ndaj kjo është një arsye më shumë pse duhet të gëzohemi që vitet e fundit përmes përpjekjesh intensive në kontekstin e unifikimit evropian ia kemi dalë të arrijmë zhvillime gjithnjë e më pozitive edhe në Ballkan. Vendi im gjermani është angazhuar fuqishëm këtu dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Jemi duke përjetuar mendësi të vjetra në sfera pushteti dhe ndikimi që shkojnë deri në destabilizim shtetesh të tjera dhe aneksim territoresh të huaja. Ndaj duhet bërë gjithë sa është e mundur për të shmangur rikthimin në një politikë konfrontimesh dhe dhune. Në këtë ditë të përkujtimit të tmerrit të së shkuarës përpara 71 vjetësh dëshiroj ta mbyll fjalën time me shikimin drejt së ardhmes: Pas përpjekjesh intensive Shqipëria ia doli para pak ditësh të bëhet vend kandidat për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Tanimë është në dorën e Shqipërisë që përmes një procesi të vendosur reformash dhe modernizimi të shtetit dhe shoqërisë të gjejë rrugën e saj drejt BE. Nëse prej historisë arrijmë të mësojmë të ndërtojmë këtë Europë, nëse mësojmë se jemi të gjithë pjesë e së tërës dhe se kjo është Europa e të gjithëve ne, atëherë mundtë themi se kemi nxjerrë një mësim të mirë nga e kaluara jonë e vështirë”, deklaroi Helmut Hoffman, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë.
 
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë dhe përfaqësues të pushtetit lokal, deputetja e zonës Arta Dade dhe familjarë të të rënëve, të cilët kanë nderuar kujtimin e tyre përmes një ceremonie të thjesht.
Jorgjie Stillo, një prej të mbijetuarave të kësaj masakre kujton me detaje çdo gjë të ndodhur atë ditë dhe se si gjithë pjesëtarët e familjes ju vranë në sy.

“Një gjerman pushkaton 6 burra nën sytë tanë. Ne largohemi bashkë me nënën. Në këtë kohë një gjerman na kishte parë dhe qëllon me armë ndaj nesh, duke vrarë vëllain e vogël. Motra e madhe e merr në krahë të vdekur dhe largohemi, por sërish një tjetër gjerman qëllon drejt nesh, duke më vrarë nënën, motrën dhe një vëlla, ndërsa unë mbeta e plagosur”, u shpreh Jorgjie Stillo.

71 vite më parë, më 6 korrik  të vitit  1943, në Borovë hynë trupat e Vehrmahtit ku kryen një masakër masive kundër popullsisë civile. Të gjitha 100 shtëpitë e fshatit dhe kisha u dogjën dhe 107 civilë nga mosha 4 vjeçare deri në atë 84 vjeçare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta