
Presidenti Petro Poroshenko urdhëroi ushtrinë për të ngritur flamurin e Ukrainës mbi ndërtesën e këshillit të qytetit të Slovianskit. Shtrirja e kontrollit të forcave të Ukrainës mbi qytet mbetet e paqartë, por disa raporte citojnë se ky rikthim i forcave vendase në Ukrainën lindore po ndodh sepse separatistët po evakuohen.
Ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha në rrjetin social Facebook se një numër i madh kryengritësish u larguan nga Slovianski sepse u dorëzuan përballë forcave të Ukrainës. Ai gjithashtu përmendi dhe largimin e komandantit ushtarak të Republikës së vetëshpallur të Donetskut, Igor Strelkov, por kjo ende pret një konfirmim zyrtar nga policia.
Por, nga ana tjetër, separatistët pro-rusë kundërpërgjigjen dhe i mohojnë raportimet se janë larguar nga bastioni i tyre në Sloviansk.
Forcat e Ukrainës filluan një ofensivë kundër separatistëve këtë javë, pas ndërprerjes së armëpushimit 10-ditor. Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, u shpreh i gatshëm të rivendosë armëpushimin me separatistët pro-rusë, nëse ky vendim do të respektohej nga të dyja palët. Presidenti ukrainas ka kërkuar gjithashtu lirimin e të gjithëve pengjeve dhe kontroll mbi kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë me monitorim nga ana OSBE-ja.
Kjo marrëveshje pret konfirmim dhe nga pala ruse, por më herët në një deklaratë të Vladimir Putinit ai tha se ishte “thellësisht i shqetësuar për rritjen e vdekjeve të pjesës civile dhe rritje të lartë të emigranteve që hyjnë në Rusi nga jug-lindja e Ukrainës”.
Ndërkombëtarët ranë dakord se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) duhet të luajë një rol më aktiv në monitorimin e situatës në zonën e konfliktit.
Top Channel