Gjermani, arrestohet spiuni amerikan

05/07/2014 00:00

Autoritetet gjermane thirrën ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Berlin gjatë ditës së premte, pasi një person është arrestuar nën dyshimet për spiunazh.

“Diplomati amerikan u pyet për të ndihmuar në sqarimin e shpejtë të kësaj çështje”, ka thënë Ministria e Jashtme. Zyrtarët gjermanë kanë konfirmuar arrestimin, por nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me të.

Sipas mediave gjermane personi i arrestuar gjatë kësaj jave është një punonjës 31-vjeçar i Shërbimit Federal Informativ Gjerman, BND.

“Çështja është shumë serioze”, tha një zëdhënës i Merkel, pasi u shpreh se ishte informuar për arrestimin. Spiegel shkruan se personi i arrestuar u ka dorëzuar amerikanëve informacione në këmbim të parave.

Megjithatë, një politikan, i dentiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, i tha Reuters se i dyshuari i ka ofruar shërbimet e tij për amerikanët në mënyrë vullnetare.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan gjatë vitit të kaluar pas akuzave se Agjencia e Sigurimit Kombëtar të SHBA-ve kishte përgjuar telefonin e Kancelares Angela Merkel si pjesë e një programi të madh vëzhgimi.

Dokumentet e përgjimit u zbuluan në atë kohë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Top Channel