Adoleshenti palestinez u dogj i gjallë

05/07/2014 00:00

Adoleshenti palestinez i vrarë në Jeruzalem është djegur i gjallë, tregojnë rezultatet e para të autopsisë, të publikuara nga prokurori i përgjithshëm palestinez.

“Shkaku kryesor i vdekjes së tij ishte djegia si pasojë e zjarrit”, deklaroi Mohammed al Awewy. Megjithatë, autoritetet palestineze deklarojnë se rrethanat e vdekjes së 16-vjeçarit Mohammad Abu Khdair mbeten të paqarta.

Ekzaminimi popst-mortem i adoleshentit u krye nga doktorë izraelitë, bashkë me drejtorin e institutit palestinez të mjekësisë ligjore.

Agjencia zyrtare e lajmeve palestineze “Wafa” citoi prokurorin e përgjithshëm të thoshte se eksperti palestinez kishte raportuar për prani pluhuri në kanalin e frymëmarrjes, që do të thotë se viktima ka gëlltitur këtë material teksa digjej i gjallë.

Mohammad Abu Khadir, i cili kishte marrë edhe disa plagë në kokë, kishte të djegur 90 për qind të trupit të tij, saktësoi më tej kryeprokurori.

Vdekja e tij erdhi pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre të rinjve izraelitë dhe shkaktoi përleshje të dhunshme gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës në Jeruzalem.

Mijëra vetë morën pjesë në varrimin e tij ditën e premte, në afërsi të shtëpisë së familjes, në lagjen Shufat.

Ndërsa qindra të rinj palestinezë u përleshën me policinë izraelite në lindje të qytetit, para dhe pas ceremonisë mortore.

Përleshjet vazhduan gjatë natës në Bregun Perëndimor dhe u përhapën edhe në qytetet arabo-izraelite në veri të Izraelit.

Zëdhënësi i policisë izraelite, Luba Samri deklaroi se protestuesit dogjën goma makinash dhe gjuajtën me gurë. Trazira u raportuan edhe në lokalitetet Taibe dhe Tira.

Top Channel