
Policia izraelite u përlesh me protestuesit palestinezë në Jeruzalemin lindor, ndërkohë që mijëra njerëz ishin mbledhur për funeralin e një adoleshenti palestinez të vrarë në një sulm që dyshohet se ishte hakmarrje e Izraelit.
Demonstruesit palestinezë qëlluan me gurë në drejtim të policisë izraelite, ndërsa policët u përgjigjën me gaz lotësjellës dhe granata gjatë së premtes, në ditën e tretë të protestave të ndezura.
Policia izraelite kishte shtuar masat e sigurisë në përgatitje për demonstrata të reja për funeralin e Mohammed Abu Kudair. Miq dhe të afërm varrosën adoleshentin në lagjen arabe të Shuafatit.
Trupi i Kudairit u gjet në një pyll në Jeruzalem të mërkurën, rreth një orë pasi persona të panjohur e kishin futur me forcë në një makinë.
Autoritetet thonë se po hetojnë nëse vrasja u krye në shenjë hakmarrjeje pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve izralitë disa ditë më parë.
Zyrtarët izraelitë fajësojnë Hamasin për vrasjen e tre adoleshentëve, të cilët u varrosën këtë javë, pasi u vranë në rrethana të ngjashme me të riun palestinez.
Top Channel