Tragjike në SHBA, ferrari përplaset me një barrierë dhe përfshihet nga flakën, humb jetën krijuesi i famshëm i videolojërave Ndërsa selia e Këshillit të BE-së në Bruksel ndërroi ngjyrat për Presidencën Italiane, në Strasburg analiza për arritjet e Presidencës Greke shfaqi shumë të pakënaqur, veçanërisht mbi ekonominë dhe financat e BE-së.
Për 181 ditë, Athina mbylli 67 marrëveshje politike dhe organizoi 57 ministeriale, ndër të cilat dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë javën e fundit shënon arritje për presidencën helene në politikën e zgjerimit të BEs-ë.
Kjo, pavarësisht politikës bllokuese të ndjekur ndaj Shkupit që kryeministri Samaras e theksoi dhe në konferencën e fundit për shtyp përkrah presidentit Martin Schulz.
“Nuk e dija së pari se ekzistonte një gjuhë maqedonase dhe dua të them se procesi i anëtarësimit nuk drejtohet nga kalendari, por bazohet mbi merita. Kur papajtueshmëria zëvendëson dialogun, gjërat bëhen në mënyrë akute edhe më të vështira për t’u zgjidhur dhe besoj se realiteti i sotëm politik në Greqi përsa i takon Shkupit është një rast i papajtueshmërisë ekstreme”, deklaroi Samaras.
“Nuk është faji i Presidencës Greke, por sistemi bankar shkakton probleme dhe ne duhet të inkurajojmë për të futur më shumë para në ekonominë reale”, deklaroi Schulz.
“Ka një numër dosjesh të hapura, ku për fat të keq ju nuk përparuat fare, siç mund të kishit vepruar, për shembull tregu unik e gjëra të ngjashme”, protestoi eurodeputetja hungareze Ildiko Gall Pelcz.
“Presidenca nuk miratoi iniciativat e nevojshme për çështjet që ngriti si prioritete të saj, si punësimi i të rinjve për shembull, që po dëmton seriozisht ekonomitë në krizë dhe na nevojitet një Union më solidar në praktikë”, tha kolegu grek Mitiadis Kyrkos.
Ndërsa eurodeputeti gjerman Sven Giegold, nga Të Gjelbërit, mendon: “Më duket se ka një mënyrë të padrejtë sesi financohen gjërat dhe vijon një konkurrencë fiskale, e për këto çështje, Presidenca Greke druaj se nuk pati shumë arritje. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë në 6 muajt e ardhshëm”.
“Nëpër botë, dikush mund të mendojë se çfarë stafete kalon ndërmjet Greqisë dhe Italisë. Mund të mendojë për marrëdhënien Perikli-Ciceron, Aristotel dhe Dante Aligeri, Archimed e Leonardo Da Vinci, megjithëse nuk ndodh kjo. Ne mendojmë veç mbi krizën ekonomike dhe përhapjen. Më lejoni ta shpreh me dredhi: nëse Europa bën sot një “selfie”, çfarë fotoje do të dilte? Unë mund të them me shqetësim të thellë: do të shfaqej një fytyrë e lodhur dhe në disa raste e dorëhequr. Thënë troç: Europa në atë “selfie” do tregonte sot fytyrën e mërzisë”, deklaroi Matteo Renzi, kryeministër i Italisë.
“Sfida e vërtetë për këtë kontinent është të gjejë shpirtin e Europës, të kthehet pas për të gjetur kuptimin real të të jetuarit së bashku, sepse nëse Europa është veç një bashkim burokracish, mund t’ju siguroj se italianët zotërojnë mjaftueshëm. Sigurisht, ekziston forca e atyre vendeve të mëdha që kontribuojnë në buxhetin europian më shumë se ç’fitojnë prej tij, por fati ynë është më i madh se veç paratë që mbajmë në xhep”, vijoi shefi i qeverisë italiane.
“Shpresa” është tema kryesore e Presidencës Italiane, veçanërisht kur flitet për institucionet europiane, dhe kjo reflektohet në kompozimin modern të ndërtesës së Këshillit të BE-së, sipas ambasadorit Stefano Sanino.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel