
Persona të larguar nga qytetet e kontrolluara prej rebelëve i thanë BBC-së se militantët e ISIS-it kanë nisur një gjueti të vërtetë ndaj josunitëve dhe kundërshtarëve të tyre, duke pretenduar sidomos nga ushtarë e oficerë bindje dhe pajtim me kalifatin e porsashpallur, ose në të kundërt do të përballen me ekzekutimin.
Mbi një milion irakianë kanë braktisur shtëpitë përgjatë një muaji, koha që i është dashur Shtetit Islamik në Irak e Levant të pushtojë Mosulin, Tikritin e qytete të tjetra veri-perëndimore të Irakut.
Vetëm në muajin qershor, sipas OKB-së, bilanci i vdekjeve në vend shënon gati 2.500. Shumë prej të shpërngulurve janë shiitë, të krishterë e kurdë etnikë.
Shiitëve, nese nuk i shkëmbejnë dot me të burgosur, rebelët e ISIS-it thjesht u presin kokën, rrëfeu për BBC një kurd i quajtur Hasan, i cili kaloi 16 ditë në duart e ekstremistëve derisa familja pagoi 51.000 dollarë për lirimin e tij.
Sipas liderit rajonal Bashar al-Khiki, i larguar së fundmi nga Mosuli, xhihadistët po mbledhin informacione mbi njerëzit e janë duke krijuar një bazë të dhënash në mënyrë që të identifikojnë të gjithë ata që punojnë për qeverinë apo forcat e sigurisë.
Grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu raportojnë se militantët e ISIS-it shkojnë lagje më lagje në Mosul duke vënë qëllimisht në shënjestër josunitët dhe personat që i kundërvihen.
Javën e kaluar, grupi shpalli krijimin e një kalifati islamik në territoritet e kontrolluara prej tij në Siri dhe Irak. Organizata terroriste dhe milicitë aleate me të nuk po zgjerojnë vetëm sferën e ndikimit në Irak, por kanë vënë nën kontroll edhe kalimin e vetëm kufitar për në Jordani.
Krerët ushtarakë irakenë mohuan ndërkohë raportet se trupat e tyre kishin braktisur pozicionet përgjatë kufirit me Arabinë Saudite, e cila ka dizlokuar 30.000 ushtarë në zonë.
Top Channel