Po merrte pjesë në një protestë pro-Palestinës, vihet sërish në pranga aktivistja e njohur Greta Thunberg në Londër Pas Britanisë dhe Gjermanisë, masat e sigurisë në aeroporte po i shton dhe Franca, vendi më i fundit që ndjek këshillën e Shteteve të Bashkuara, se duhet bërë kujdes më i madh pas njoftimeve për kërcënime të besueshme terroriste.
Kontrollet në fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara do të përforcohen, edhe pse, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Francës, do të bëhen përpjekje maksimale që pasagjerët të mos kenë shqetësime. Për çdo rast, atyre u rekomandohet të mbërrijnë në aeroporte më shpejt, teksa mundësia e vonesave nuk përjashtohet.
Masat e reja, që prekin aeroporte në Europë e në Lindjen e Mesme, me fluturime të drejtpërdrejta në Shtetet e Bashkuara, vijnë në mesin e raporteve se grupe të lidhura me al-Kaedën në Siri e Jemen po krijojnë bomba, që të merren me vete në avion.
Një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në SHBA u citua nga BBC-ja, një ditë më parë, të pohonte se ndryshimet janë përgjigje në kohë reale ndaj një kërcënimi të besueshëm. Ai theksoi se aviacioni, në mënyrë të veçantë, mbetet një shënjestër joshëse për terroristët nëpër botë, të cilët përpiqen të shmangin masat e sigurisë me mënyra nga më të ndryshmet.
Përgjatë 5 viteve të fundit, xhihadistët në Jemen janë duke punuar për bombat e padukshme, siç njihen ndryshe, eksplozivë që nuk përmbajnë metal, e për këtë arsye është më e vështirë të diktohen.
Tre herë deri më tani kanë pasur mundësinë t’i kalojnë këto bomba në fluturime ndërkombëtare. Vetëm njëra prej tyre ka shpërthyer, pasi avioni ishte ulur në tokë, duke vrarë njeriun që e kishte me vete dhe askënd tjetër.
Top Channel