Obama, më keq se George Bush

03/07/2014 00:00

Edhe më keq se George W. Bush, madje presidenti më i dobët që prej Luftës së Dytë Botërore. Kështu e shohin sot amerikanët Barak Obamën, gati gjysma e të cilëve tani mendon se Shtetet e Bashkuara do të ishin shumë më mirë nëse presidencialet e 2012-s do t’i kishte fituar Mitt Romney.

Një sondazh i Universitetit të Quinipiac tregon se 33% e të intervistuarve ndajnë këtë bindje për shefin e Shtëpisë së Bardhë dhe vetem 8% e konsiderojnë më të mirin në postin e kreut të shtetit. 28% të tjerë vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë se nuk ka më të keq se paraardhësi i tij, Bush. Richard Nixon, i vetmi president amerikan që ka dhënë dorëheqjen me turp, sipas anketimit, shihet si më i dobëti nga 13% e amerikanëve.

Po më i miri që pas luftës, kush do të ishte? Listën e preferencave e kryeson Ronald Reagan. 35% e të pyeturve përzgjodhën ikonën republikane: 18% të tjerë u shprehën në favor të Bill Klintonit, i cili kapërceu kështu në preferenca idhullin e vet, John F. Kennedy, favorit i 15% të intervistuarve. Anketimi i realizuar në periudhën 24 deri në 30 qershor, ka një marzh gabimi prej plus-minus 2,6 pikë përqindje.

Rënia e popullaritetit të Obamës është dëshmuar sondazh pas sondazhi, por ky i Quinipiac-ut ishte më i ashpri nga të gjithë: dështimi i gjetjes së kompromisit me Kongresin, disfatat e mëdha në Gjykatën Supreme e së fundi edhe ridërgimi i trupave në Irak kanë lënë gjurmën e tyre tek votuesit, që e shohin tani më mosbesim udhëheqjen e tij dhe rezultati është mjaft domethënës: njeriu që mori presidencën në 2009-n me premtimin e ndryshimit dhe shpresës, sot nuk konsiderohet as në lartësinë e paraardhësit, e cili e la Shtëpinë e Bardhë me një nivel popullariteti tmerrësisht të ulët.  

Top Channel