
Siguria është përforcuar ndjeshëm në aeroportet britanike me fluturime direkte në Shtetet e Bashkuara pas paralajmërimeve të Uashingtonit për “kërcënime të besueshme terroriste”.
Masat i konfirmoi sekretari i Transporteve, Patrick McLoughlin, i cili shtoi se hapa të tillë po merren me qëllim mbrojtjen e publikut. Edhe pse nuk sqaroi se çfarë do të bëhet më konkretisht, ministri këmbënguli se pasagjerët nuk do të kenë shqetësime: “Britania ka njërin prej regjimeve më të forta të sigurisë në botë. Megjithatë, marrja e këtyre masave ishte e nevojshme si për të shtuar mbrojtjen e udhëtarëve, ashtu dhe për të rritur besimin e publikut. Kur kemi informacione për një rrezik të mundshëm dhe këshillohemi të kalojmë në veprim, nuk mund të hezitojmë.”
Masat e reja që do të prekin dhe të tjera aeroporte në Europë e në Lindjen e Mesme me fluturime të drejtpërdrejta në Shtetet e Bashkuara, vijnë në mesin e raporteve në median amerikane se grupe të lidhura me Al Kaedën në Siri e Jemen po krijojnë bomba që të merren me vete në avion.
Një zyrtar i Departamentit të Sigurise Kombëtare në SHBA citohet nga BBC të pohojë se ndryshimet janë përgjigje në kohë reale ndaj një kërcënimi të besueshëm për të cilin nuk mund të komentonte më gjatë. Aviacioni mbetet një shënjestër joshëse për terroristët nëpër botë, të cilët përpiqen të shmangin masat e sigurisë me mënyra nga më të ndryshmet. Forcimi i kontrolleve nuk pritet për çdo rast të shkaktojë vonesa të mëdha sidomos në Heathroë, një prej aeroporteve më të frekuentuar në Britani e me numrin më të madh të fluturimeve drejt Shteteve të Bashkuara.
Top Channel