Fadil Lepaja – Më në fund edhe Shqipëria u pushtua!
Prej vetë shqiptarëve. Edhe Lazarati u bë Shqipëri dhe policia shqiptare po patrullon atje lirshëm, sikur të ishte në Tiranë. Nejse, kjo nuk i bjen edhe aq lirshëm, sepse edhe Tirana tash është e pushtuar… nga opozita. “Tirana e kontradiktave”! Në fakt, kur Shqipërinë e pushtojnë të kuqtë, Tiranën e marrin të zinjtë dhe anasjelltas. Koloriti mbetet kombëtar, gjithsesi. Kuq e zi! Edhe ngjyrat e tjera janë prezente. Gjelbër, blu… Të gjitha ngjyrat e ylberit.
Por, suksesit të pranuar ndërkombëtarisht nuk i shikohen dhëmbët. Nuk e zbeh as… Po e dini! Se nga Europa na vinin vetëm vërejtje. Po e dini, tashmë! Po na thonë se jemi “të organizuem”.
Kështu, qendra po i mbledh cepat e vendit dhe po e vë njëfarë rregulli. Shqipëria është në festë. Tymi i marijuanës e ka mbuluar krejt vendin, aq sa është dehur krejt. Shumë prej marijuane e pak edhe prej statusi. U “fejua” Shqipëria! Gëzim të madh ka në të gjitha anët. Kanë sjellë edhe policët ndonjë gjeth nëpër xhepa. Ishin shumë policë andejpari, dhe… uniformat kanë shumë xhepa. Se çantat kontrolloheshin rreptë. Kështu pak raki, pak “bar” edhe… festa bëhet e plotë. Gëzuar!
Kështu e harruam edhe “Jo”-në e madhe të Januzajt, edhe debatet me “tradhtarët” e kombëtares, edhe dështimin për të shkuar në Botëror, ku shqiptarët “mercenarë” po përmenden. Miklohet sedra edhe disi rikthehet ajo krenari e humbur përskaj autostradave të Europës apo nëpër…
Ta lëmë anash se nga tymi prej tonelatash të djegura me kanabis sativa edhe Çamëria u ringjall për pak në skenën politike. U dehën edhe mediat. Edhe politika. Na ka zënë… Shqipëria. Dikush po thotë se më në fund po bëhet… edhe Shqipëria.
E në Kosovë është ndryshe. Ne jemi gëzuar njëherë. Në pamundësi për me pushtue “veriun, kosovarët kësaj vere e pushtuan Shqipërinë. Kush mundet me ecë, u nis andej. Eksod veror!
U “fejua” Shqipëria, e shkroi dikush në Facebook. Është një hap i madh përpara, por… “martesë” nuk është. Është sikur e vozit veturën me tabelat ku shkruan “në provë”. Pra, apelit tonë për dashuri globale, nga kontinenti amë iu përgjigjën pozitivisht. Por “nusja” duhet me dhënë prova. Disa vite në provë.
Turqia, për shembull, me dekada është me tabelat “në provë”.
Sidoqoftë, ne shqiptarët u pajtuam me të gjithë armiqtë historikë, të cilët njëkohësisht edhe i falëm. Nuk është lehtë me i falë qindra vjet pushtim, por… ne i falëm. I thamë “JO” hakmarrjes. Nejse, ata nuk na falën ne, por kjo nuk është edhe aq me rëndësi. Fundja kush ka për të falur këtu.
Kështu, gëzim i madh, për këtë “fejesë”. Andej e këndej, gëzim. Ne jemi një, por “Bjeshkët e Namuna” i kemi në mes. E në Tiranë, të gjithë së bashku… festuan ndaras.
Bashkia festoi veç e qeveria veç. Kur e mendon me gjakftohtësi, nuk ishte ide e keqe. E keni parasysh se si zhvillohen gjërat në Parlament. Rama i ka batutat me majë, e Berisha të zhurmshme. Edhe Basha, uron me akuza.
Përndryshe, Europa po thotë se “Kosova nuk është Shqipëri”, se i mbetet hatri Serbisë. Këtu nuk po ndihmojnë as dhjetëra tonelata marijuanë të djegur. Kur bëhet fjalë për Kosovën, Europa bëhet esëll. Ende jemi të vetmit, që për të shkuar në Europë presim para ambasadave në shi e në diell.
Dashuria jonë është e zjarrtë, veçse prej zjarrit të madh po digjemi në vete. Kemi ngecur, në rrethrrotullim, me gjithë asistimin ndërkombëtar. Parapolitika jonë po eksperimenton.
E koalicioni tashmë po i bani disa javë. Po ecin ngadalë. Me shumë kujdes. Si nëpër mina. Po tuten që “gjarpri” e ka minue terrenin.
E qeveria në largim, po heziton. Po përton me zbrit në opozitë. Por, ju, mos gjykoni ashpër. Rënia nga pushteti ka pasoja jo vetëm financiare, por edhe sociale e emocionale. Harro ato që dihen, se më të rënda janë ato që nuk janë folur deri më tash! Pushteti ka shumë privilegje nga më të parëndësishmet, e nga të cilat zakonisht hiqet dorë më së vështiri.
Për shembull, ka raste kur debatohet për rolin femrës në shoqëri. Tash, më nuk i pyet askush gratë e ish-ministrave apo kryeministrave për rolin e femrave në shoqëri. Ato më nuk munden me thënë me kompetencë të plotë, se të drejtat e grave janë “në nivel të kënaqshëm” dhe të gjithë t’i komplimentojnë se kanë thënë diçka shumë të mençur.
Apo fëmijët! Kështu fëmijët e ish-pushtetarëve munden me postue diçka në Facebook dhe askujt të mos i interesojë kjo. Asnjë medium të mos i citojë. Askush më nuk do të hapë me dhjetëra profile me të njëjtin pass, vetëm për me ba llajka nëpër postimet e tyre. Kush nuk e di, kjo është dramë e vërtetë!
Prandaj, ndërrimet janë dramatike. Kur bjen prej pushteti dhjetëra të afërm degradohen pozicionalisht, sidomos nëpër ndërmarrje publike. Disa prej tyre madje, u duhet edhe të shkojnë në punë rregullisht. Nuk ua dërgojnë pagën në shpi. Merre me mend me shkue në punë çdo ditë, edhe atë me kohë!
Pastaj kreditë! Bankat do të kërkojnë me ua pague këstet me rregull. As nuk merr më dot kredi tjetër pa e shlye të parën.
As tender! Më, nuk merr tender, nga shteti. Edhe nëse tashmë veç e ke marrë, duhet me i respektue kushtet e kontratës! Ashtu nuk ka hesap.
As djemtë e ministrave apo zyrtarëve të lartë nuk munden me e ushtrue boksin mbi policët e komunikacionit, e as me shëtit me kallash në xhip. Keq! Edhe fëmijët në shkollë papritmas do të bien me sukseset. Mund të marrin edhe 4, 3, apo ruajna Zot edhe 2-sha!
Më e keqja me gratë! Mund të shkojnë me nerva në punë dhe askush të mos shqetësohet për këtë fakt. Shefi i tyre nuk do lodhet me gjetë ndonjë zgjidhje për problemet e tyre të përditshme. As frizeri nuk llafos me të për problemet e shtetit. Thjesht, humbin llafet.
Por shpresë ka! Prishtina ka ra në apati, por Ajvalia u ngjall! Pacollët u përmendën sërish në përmasa globale me një ofertë fantastike për futbollistin e dënuar të Uruguait, Suarez.
Slogani “Suarez, thuaj po Ajvalisë”, mori një nënqeshje globale. E lezetshme!
Është marketing i mirë, e pranuan edhe armiqtë shekullorë në Beograd. E regjistruan mediat globale.
Pra, me rëndësi po na përmendin. Gallatë verore! Veç mos të na kafshojë veshët, ky Suarezi! E ka ves!
Se shqiponja po bën rrathë koncentrikë mbi kokat tona.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel