
Presidenti i rajonit autonom të Kurdistanit në Irak i tha BBC-së se synon të mbajë brenda disa muajsh një referendum për pavarësi.
Massoud Barzani e ka bërë të qartë edhe më parë, se cili është këndvështrimi i tij për situatën. Iraku, siç thotë, është praktikisht i ndarë, e ndërsa kurdët do të bëhen pjesë e zgjidhjes politike të krizës së vendit, pavarësinë Barzani e përshkruan si të drejtën e tyre të natyrshme.
“Nga ky moment e tutje, nuk kemi për ta fshehur më, se ky është qëllimi ynë. Iraku është tashmë i ndarë dhe çfarë duhet të bëjmë ne, të rrimë e të pranojmë këtë situatë tragjike, në të cilën ndodhet vendi? Për pavaresinë nuk do të vendos unë, do të vendosë populli. Do të zhvillojmë një referendum, e kjo është çështje muajsh”, tha Massoud Barzani, president i Kurdistanit.
Kauza e pavarësisë kurde mori, këtë fundjavë, edhe mbështetjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e cilësoi një përgjigje të nevojshme ndaj avancimit të pandalshëm të ISIS-it në Veri.
Parlamenti irakian mblidhet për të parën herë, që prej zgjedhjeve të Prillit, me detyrën e vështirë të krijimit të një qeverie uniteti, e cila t’i bëjë ballë krizës politike në rritje. Shpresat janë që, një qeveri e tillë do të arrijë ta parandalojë copëtimin e vendit.
Rajone të tëra veriore janë tashmë në duart e kryengritësve sunitë, ndërsa një ditë më parë militantët e Shtetit Islamik në Irak e Levant shpallën krijimin e një kalifati islamik në territoret irakiane e ato siriane, të pushtuara së fundi.
Presidenti amerikan Barack Obama autorizoi dërgimin e 200 ushtarëve të tjerë amerikanë në Irak, për të forcuar sigurinë në Ambasadën amerikane dhe aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit, e shtoi se dislokimi i trupave do të përfshijë edhe dërgimin e helikopterëve dhe avionëve pa pilot.
Top Channel