“Do të ruajmë jetën e ushtarëve”/ Ukraina humb qytetin lindor të Siverskut, Rusia përparon me territore Me shpresën të mbajë gjallë planin e tij të paqes, presidenti ukrainas Petro Poroshenko u bë pjesë e një bisede telefonike me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, dhe liderët e Francës e Gjermanisë.
Biseda u zhvillua të dielën, në kohën kur 1 mijë protestues në Kiev i kërkuan Poroshenko-s të zgjedhë një rrugë tjetër, pas përleshjeve me separatistët pro-rusë këtë fundjavë.
Argumenti i tyre ishte se armëpushimi i njëanshëm me mbështetësit e Moskës ka marrë fund dhe se këmbëngulja e qeverisë se ai po funksionon, nuk bën gjë tjetër veçse vë në rrezik jetët e ushtarëve ukrainas.
“Një javë armëpushim nga ana jonë nuk prodhoi asnjë rezultat, me përjashtim të vdekjeve në radhët e ushtrisë ukrainase. Kjo tregon se me terroristët, njerëzit që morën armët e që po përpiqen t’i arrijnë qëllimet e tyre duke përdorur këto armë, nuk mund të flitet përveç se me të vetmen gjuhë që njohin: gjuhën e forcës”, tha një protestues ukrainas.
Pas diskutimeve dy orëshe mes udhëheqësve, Poroshenko sqaroi se kishte premtuar vazhdimin e armëpushimit, të paktën deri të hënën në mbrëmje, vendim aspak i lehtë ky, sidomos pas njoftimeve mbi vrasjen e 5 ushtarëve të tjerë.
Një operator i televizionit shtetëror u qëllua gjithashtu për vdekje, teksa filmonte rebelët në Donjeck.
Në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Lindje të Ukrainës, katër liderët priten të zhvillojnë edhe bisedime të tjera, ndërsa mësohet se në diskutimin telefonik, Putin ka kërkuar shtyrjen e armëpushimit për një periudhë edhe më të gjatë.
Që nga mesi i Prillit, sipas të dhënave të OKB-së, nga luftimet mes rebelëve pro-rusë dhe trupave qeveritare të Kievit kanë humbur jetën më shumë se 420 vetë.
Top Channel