Pistorius nuk kishte çrregullime mendore

30/06/2014 00:00

Në momentin kur qëlloi mbi të dashurën e tij, Reeva Steenkamp, Oscar Pistorius nuk kishte aspak probleme mendore.

Pretendimet e mbrojtjes për të kundërtën janë rrëzuar nga vlerësimet e psikiatërve, në procesin gjyqësor të yllit olimpik në Pretoria.

Pas javëve të tëra verifikimesh, ekspertët që shqyrtuan rastin e atletit, të njohur si “vrapuesi me proteza në formë tehu”, për shkak të këmbëve të tij artificiale, informuan gjykatësen Thokozile Matilda Masipa mbi rezultatin e kërkimeve të tyre, i cili mund të ndryshojë tërësisht kursin e këtij gjyqi.

Procesi u shty nga mesi i Majit, pas pretendimeve të doktoreshë Merryll Vorster, një psikiatre e thirrur në bankën e dëshmitarëve nga ekipi i avokatëve mbrojtës të Pistorius-it, se 27-vjeçari kishte një çrregullim ankthi të përgjithshëm, pasojë edhe e amputimit të këmbëve kur ishte foshnje.

Kjo shtyu prokurorin Gerrie Nel të kërkonte menjëherë vlerësimin e situatës psikike të të pandehurit, nga një grup specialistësh. Oscar Pistorius akuzohet për vrasjen me paramendim të të dashurës së tij modele, në shtëpinë e tij në Pretoria, më 14 Shkurt.

Pistorius pretendon se bëhet fjalë për një aksident fatkeq, pasi ka menduar se Steenkamp ishte një grabites që i kishte hyrë në shtëpi, e madje, në muajin Shkurt, atleti invalid edhe i shprehu ngushëllimet e tij familjes së 29-vjeçares.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB