Kinë, gjenerali i lartë akuzohet për korrupsion

30/06/2014 00:00

Një nga oficerët më të vjetër të ushtrisë Kineze është akuzuar nga autoritetet e këtij vendi për marrje ryshfeti dhe është përjashtuar nga Partia Komuniste.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale. Gjenerali Xu Caihou dikur një anëtar i elitës vendimmarrëse të Kinës, Byroja Politike, tani do t’u dorëzohet prokurorëve për ta çuar në gjykatën ushtarake.

Ai mendohet se po mbahet në arrest shtëpie prej disa muajsh. Analistët thonë se ky mund të jetë skandali më i madh ushtarak në Kinë që verifikohet prej vitesh.

Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se presidenti Xi Jinping ka mbledhur tashmë në takim Byronë Politike për marrjen e masës disiplinore dhe ka vendosur përjashtimin e gjeneralit Xu nga radhët e ushtrisë. Zërat për një hetim mbi oficerin e lartë qarkullonin prej muajsh.

Shumë besojnë se gjendja e rëndë shëndetësore e tij, pasi raportohet se vuan nga kanceri, do ta shpëtojë nga ndjekja penale. Por kjo lëvizje po pasqyrohet në mediat shtetërore si pjesë e betejës së qeverisë kundër korrupsionit.

Ndërkohë, dy figura të profilit të lartë u përjashtuan po ashtu nga Partia Komuniste për korrupsion ditën e hënë. Bëhet fjalë për ish-shefin e Rregullatorit të Aseteve Shtetërore dhe nëndrejtorin e gjigandit kinez të energjitikës, CNPC.

Përjashtimet e fundit vijnë në një kohë spekulimesh për fatin e një nga politikanët më të fuqishëm të Kinës, ish-anëtarin e Komitetit Qendror të Byrosë Politike, Zhou Yongkang, që po hetohet për akuzat për korrupsion dhe abuzim me anë të detyrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB