Itali, 30 kufoma në një varkë peshkimi

30/06/2014 00:00

Marina italiane ka gjetur mëngjesin e së hënës rreth 30 kufoma në një varkë peshkimi që po transportonte qindra emigrantë drejt brigjeve të Siçilisë nga ato të Afrikës së Veriut.

Sipas mediave lokale, nga kontrollet e para dyshohet se emigrantët kanë vdekur nga asfiksimi. Zbulimi u bë kur skuadrat e shpëtimit hipën në mjetin lundrues për të evakuuar një numër personash që ndodheshin në vështirësi, dy prej të cilëve gra shtatëzëna.

Marina italiane bëri të ditur se gjatë fundjavës ka shpëtuar mbi 5 mijë emigrantë që përpiqeshin të arrinin brigjet evropiane nga kontinenti afrikan.

Shifra është publikuar menjëherë pas zbulimit të trupave të pajetë. Marina njoftoi gjithashtu se personat e vdekur ishin vendosur në disa rafte poshtë kuvertës së varkës së peshkimit.

Mjeti lundrues po transportonte rreth 600 emigrantë dhe kur u mor nën kontroll nga marina u transportua për në qytetin Pocalo, në jug të Siçilisë. Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se ende nuk është e qartë nëse varka po mbytej kur u arrit nga marina.

Zbulimi i fundit pritet të rrisë vëmendjen ndaj rrezikut me të cilin përballen njerëzit që në kushte dëshpërimi përpiqen të arrijnë Evropën dhe zgjedhin ta bëjnë këtë përmes varkave të tejmbushura dhe të pasigurta.

Agjencia evropiane për ruajtjen e kufijve, Frontex deklaron se rreth 60 mijë emigrantë kanë zbarkuar në brigjet e jugut të Italisë vetëm këtë vit. Rekordi prej 63 mijë vetësh i vendosur në vitin 2011 ka gjasa të thyhet brenda pak javësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB