Boateng: Më përzunë për motive politike

30/06/2014 00:00

Kevin-Prince Boateng ka theksuar se u përzu nga grumbullimi i Ganës së bashku me Muntarin për motive politike dhe jo disiplinore siç është thënë.

“Nuk jam zënë kurrë me Muntarin. I kërkova drejtuesve të Federatës se ku kishin përfunduar paratë që kishin marrë nga FIFA dhe për këtë arsye më përjashtuan”, shpjegoi ish-lojtari i Milanit.

Boateng dhe Muntari u përjashtuan ditën që Gana do të luante ndeshjen e tretë dhe të fundit të grupit G kundër Portugalisë. Federata kishte shpjeguar me anë të dy njoftimeve të shkurtra se dy futbollistët ishin zënë me njëri-tjetrin në stërvitje, ishin zënë me trajnerin Appiah dhe Muntari kishte goditur një punonjës të Federatës.

“Po bëja shaka me Muntarin gjatë stërvitjes duke i thënë që duhet të linte futbollin e të bëhej arbitër. Trajneri, i cili ka pasur probleme edhe më parë me mua, mendoi se unë e ofendova shokun tim dhe nisi të më fyente para të gjithëve. Por, pse më përjashtuan 4 ditë pas këtij episodi? Më përjashtuan sepse dy ditë më vonë u takuam me drejtues të Federatës dhe i kërkova se ku i kishin çuar paratë e marra nga FIFA. Me ato para’ mund të kishin ardhur edhe familjarët tanë në Brazil. Botërori ka qenë një eksperiencë e tmerrshme”, tha Boateng.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA