BE: Britania, e rëndësishme për ne

30/06/2014 00:00

Numri dy i Komisionit Europian, Joaquin Almunia, thotë se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të ishte një lajm shumë i keq.

Britaninë, zëvendës/presidenti i KE-së e cilëson një anëtare tepër të rëndësishme të bllokut, madje ai parashikon se, përkundër situatës së tanishme, David Cameron do të arrijë të bashkëpunojë me kryetarin e ri të ekzekutivit të Bashkimit Europian, Jean Claude Juncker.

“Në një demokraci është normale që jo të gjithë të bien 100 përqind dakord me njëri-tjetrin përgjatë gjithë kohës. Juncker, megjithatë, nuk është vetëm një pro-europian me bindje, por edhe një politikan pragmatist gjithashtu”, tha Joaquin Almunia.

Kreu i qeverisë britanike do të përballet më vonë me ligjvënësit në Parlament, pas dështimit të tij për të ndaluar caktimin e Juncker-it.

Cameron u bë shkak për devijimin nga tradita e caktimit të kryetarit të Komisionit Europian, duke detyruar mbajtjen e një votimi, të cilin e humbi përballë 26 votave pro. Në krah të tij, kundër ish-kryeministrit të Luksemburgut, u rreshtua vetëm Viktor Orban i Hungarisë.

Cameron, siç pohoi dhe vet, është ende i vendosur të rinegociojë marrëdhënien Britani-BE, e paskësaj ndryshimet t’i përfshijë në referendumin mbi qëndrimin ose jo të Britanisë brenda bllokut, por duke e pranuar njëkohësisht, se tani do të jetë edhe më vështirë.

Jean Claude Juncker shihet si mbështetës i një unioni më të ngushtë politik, ndërsa britaniku Cameron kërkon më shumë pushtet për vendet anëtare. Edhe pse Gjermania ishte në krahun e kundërt, sa i takon zgjedhjes së Juncker-it, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, i tha “Financial Times” se dalja e Britanisë nga BE është jashtë imagjinatës dhe absolutisht e papranueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB