
Ahmed Abu Khatallah, personi që akuzohet nga Shtetet e Bashkuara si ideatori i sulmit vdekjeprurës të vitit 2012 ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, u deklarua jo fajtor të shtunën, gjatë daljes së shkurtër përpara gjykatës federale në Uashington.
Abu Khatallah, i cili u shfaq me flokë të gjata gri dhe me mjekër, foli qetësisht në arabisht dhe u ndihmua nga një përkthyes, teksa akuzohej për mbështetje me bazë materiale ndaj terroristëve. Një juri e gjykatës federale e ngriti këtë padi në lidhje me sulmet që lanë të vrarë 4 amerikanë, përfshi edhe Ambasadorin e SHBA-ve në Libi, Chris Stevens.
Duke qëndruar përpara gjyqtarit të magjistraturës, John M. Facciola, Abu Khatallah u shfaq disi i përulur, ndërkohë që për pak kohë e mbajti vështrimin në sallën thuajse të mbushur plot. I veshur me një kostum të gjatë ngjyrë gri dhe me sandale, i akuzuari iu drejtua gjykatësve vetëm një herë për të shprehur emrin e tij me një zë shumë të ulët.
Abu Khatallah-ut iu përcaktua një mbrojtës publik, Michele Peterson, i cili dorëzoi një deklaratë ku ai nuk pranonte të ishte fajtor. Ai u urdhërua më pas të mbetej në paraburgim, deri sa të zhvilloheshin seancat dëgjimore të 2 dhe 8 Korrikut.
“Tashmë që Ahmed ka mbërritur në SHBA, ai do të përballet me fuqinë e plotë të sistemit tonë të drejtësisë”, tha Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Eric Holder. “Ne do të provojmë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, rolin për të cilin akuzohet i dënuari në sulmin, ku mbetën të vdekur 4 amerikanë në Bengazi”.
Top Channel