Britania, shenja për të lënë BE-në

29/06/2014 00:00

Britania po jep shenjat e para, që dëshmojnë largimin e saj të mundshëm nga Bashkimi Europian. Më shumë se 150 deputetë të Parlamentit anglez po organizojnë një fushatë të gjerë për firmosjen e referendumit, me qëllim lënien e unionit.

Sipas tyre, vendimi vjen pasi Mbretëria e Bashkuar ndihet e zhgënjyer nga ecuria e BE-së dhe se vëzhgimet e tyre dëshmojnë se po i vjen fundi ekonomik dhe politik unionit. Kjo pakënaqësi e britanikëve u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian, që u zhvilluan në Maj të 2014-s.

Por, largimi i diskutueshëm i Mbretërisë së Bashkuar ka ngjallur reagime të forta atje. Udhëheqësi i grupit më të madh të biznesit të Britanisë ka thënë se suksesi ekonomik i vendit varet vetëm nëse ai do të jetë anëtar i BE-së.

Sipërmarrësit më të rëndësishëm në Angli, gjithashtu mbrojnë tezën se “BE është tregu më i madh i eksportit dhe është çështje themelore për të ardhmen e tyre ekonomike. Anëtarësimi  mbështet vendet e punës dhe rrit konkurrencën ndërkombëtare”, – thonë ata.

Por, dështimi i fundit i David Cameron, në përpjekjet e tij për të ndaluar Jean-Claude Juncker për t’u bërë presidenti i Komisionit Europian, ka nxitur pakënaqësi të mëdha mes anglezëve.

Cameron, i cili do të bëjë një deklaratë në Parlament, të hënën, tha se emërimi i Junker dhe refuzimi i Europës për ndryshimet e kërkuara nga Britania, do ta bëjë shumë të vështirë misionin e tij për negocimet e mos-mbajtjes së referendumit për daljen nga BE.

Top Channel