
Kryeministri britanik David Cameron është vendosur në qendër të kritikave nga rivalët e tij politikë, por dhe nga opinioni publik në Londër për atë që disa media e quajtën “poshtërim” të Britanisë së Madhe në Bruksel.
Dështimi i Cameron për të ndaluar emërimin e Jean-Claud Juncker në krye të Komisioni Parlamentar Europian quhet si disfatë, madje laburisti Miliband shkon deri atje sa ta cilësojë “me pasoja në ekonominë e Britanisë së Madhe”.
“David Cameron po na afron gjithmonë e më shumë me derën jashtë BE-së që kërcënon më shumë se 3 milion vende pune në gjithë Britaninë e Madhe”, tha Milliband duke shtuar se strategjia e zgjedhur nga kryeministri britanik për të kundërshtuar Juncker ishte e dështuar dhe përfundoi në mënyrën më poshtëruese të mundshme për Britaninë.
Pas mungesës së një emri të përbashkët, Londra propozoi një votim. Në votim 26 vende anëtare votuan pro Juncker dhe vetëm dy kundër tij. Cameron e përshkroi votimin si një “ditë të keqe për Europën”.
Juncker në kënvështrimin e Londrës është një politikan që kërkon të rrisë pushtetin e Brukselit duke u hequr gjithnjë e më shumë kompetenca qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Megjithatë, Gjermania dhe Suedia ngushëllojnë Cameron kur deklarojnë se në planin e BE-së për pesë vitet e ardhëshme, asnjë reformë centralizuese e pushtetit nuk do t’u imponohet vendeve anëtare.
Top Channel