Irak, mega-ofensivë kundër rebelëve

28/06/2014 00:00

Ushtria irakene deklaron se ka ndërmarrë një ofensivë masive për të rimarrë nën kontroll qytetin verior të Tikritit nga rebelët sunitë.

Mijëra trupa të mbështetura nga tanke dhe forca ajrore po përpiqen të largojnë militantët e ISIS-it, që morën nën kontroll qytetin dy javë më parë, përmes një avancimi që çoi deri në marrjen e qytetit të dytë, Mosulit.

Rebelët kanë zaptuar zona të gjera në veri dhe perëndim të vendit. Burime ushtarake irakene deklaruan se ofensiva në Tikrit po kryhet në koordinim me këshilltarët ushtarakë amerikanë.

Megjithatë, edhe pse SHBA kanë konfirmuar se po përdorin dronë në Irak për të mbrojtur personelin amerikan në terren, zyrtarë të administratës saktësojnë se trupat amerikane nuk janë përfshirë në mënyrë direkte në luftime.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iraken njofton se forcat e rregullta
kanë zaptuar shumicën e qytetit, por gjatë luftimeve të ashpra kanë
humbur jetën të paktën 20 ushtarë irakenë.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe Rusia, që përmes zv/ministrit të
saj të Jashtëm, Serghiei Ryabkov ka deklaruar se, “Moska nuk do të rrijë
duarkryq ndaj avancimit të rebelëve sunitë dhe përhapjes së terrorizmit
në vend”.

Ndërkohë, kleriku influent shiit, Ajatollahu i Madh Sistani i bëri thirrje kryeministrit që brenda së martës të caktohet si njeriu që do të përpiqet të zgjidhë tensionet politike në vend.

Sistani deklaroi se postet kyçe duhet të ndahen para se të mblidhet Parlamenti i ri. Liderët politikë në Irak janë nën presion për formimin e një qeverie uniteti.

Kryeministri Nouri al Maliki dëshiron mandatin e tretë, edhe pse sipas korrespondentëve të mediave të huaja ai shihet si një person që ka gisht në nxitjen e krizës për shkak të politikave sektare, që kanë nxitur minoritetin sunit të përfshihet në radhët e fraksionit ISIS.

Top Channel