Pas orësh ankthi, gjendet në Tiranë 15-vjeçari që kërkohej nga familja, ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore Këshilli i Evropës dhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri kërkojnë më shumë transparencë në marrëdhëniet mes shtetit dhe medias dhe konkretisht lidhur me shpenzimet qeveritare për reklamat në media, pasi kjo do të sillte pavarësi editoriale.
Në një takim me përfaqësues të medias, anëtarë të komisionit të medias, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për promovimine lirisë së medias, u diskutua lidhur me pozicionin e medias nën presionin e politikës dhe biznesit.
“Transparenca në media dhe ndikimi ekonomik mbi median ndihmojnë në identifikimin e tendencave politike dhe tregtare të medias. Nëse mediat përfitojnë në mënyre indirekte apo direkte nga fondet publike, shteti duhet t’i trajtojë ato me drejtësi dhe neutralitet”, deklaroi Marko Leidekker, kryetar i misionit të KiE-së.
Një raport i Institutit të Medias thekson se 17 milionë euro qeveria i shpenzon në total për reklamat në masmedia, ku 60% i shkojnë televizioneve. Përafërsisht kjo ishte shuma që u denoncua dy vjet më parë nga ish-opozita dhe që sipas dokumentacionit, ishte shpërndarë në mënyrë klienteliste, duke diskriminuar mediat e pavarura.
Amabsadori i OSBE-së, Florian Raunig theksoi se as media dhe as gazetarët nuk mund ta ushtrojnë rolin e tyre për aq kohë sa mbizotëron klientelizmi në media.
“Mediat dhe gazetarët duhet të qëndrojnë të pavarur nga subjektet që janë në fushën e mbulimit të tyre. Praktika tashmë e gjatë e subvencionimit të çrregullt të reklamave jotransparente bie ndesh me këtë rregull bazë. Media duhet të shërbejë si monitoruese e pavarur e pushtetit. As gazetarët e as media nuk mund të ruajnë rolin e interesit të së mirës publike nëse vijon praktika klienteliste. Vetëm një media e qëndrueshme financiarisht mund t’u rezistojë presioneve që vijnë nga subjekte të ndryshme të shoqërisë”, deklaroi Raunig.
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito theksoi se ligji lejon që vetëm 30% e të ardhurave në media të sigurohen nga reklamat ndërkohë që është detyrë e AMA-s të kontrollojë zbatimin e tij. “Lidhur me shpenzimet qeveritare, ato tashmë janë transparente, theksoi Harito.
Ndërsa eksperti për median Lutfi Dervishi kërkoi rregullimin e balancave filimisht në median publike. “Është në dorë të politikës, komisionit parlamentar të medias dhe deputetëve të Parlamentit që të zgjedhin njerëz me integritet në AMA, në Këshillin Drejtues të RTSH, që ka dy vjet që i ka mbaruar mandati. Një media publike më e distancuar nga politika do të shërbente si një reaksion zinxhir ndaj mediave të tjera. Media duhet të jetë monitorues i pavarur i pushtetit, sikurse tha ambasadori Raunig”, tha Dervishi.
Skandali i reklamave që shpërtheu dy vjet më parë tregoi edhe një herë se shumica e mediave qëndrore në vend kanë qenë të diskriminuara dhe nuk kanë patur të njëjtin akses në paratë publike.
Top Channel