
Drita jeshile e dhënë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE u përshëndet nga zyrtarë vendas e të huaj, si një ngjarje që e çon vendin një hap më pranë bllokut, në rrugën e tij të aderimit.
Gjermania ishte një prej vendeve të Bashkimit Europian, që ndikuan Dhjetorin e kaluar për shtyrjen e dhënies së statusit. Në një intervistë dhënë për “Deutsche Welle”-n, ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann sqaron çfarë ndryshoi në këto 6 muaj, që i shtyu shtetet skeptike të votonin pro.
“Është thënë shumë për vendimin e Dhjetorit, – sqaron ai, – e ka pasur edhe spekulime. Fakt është, që qeveritë e 5 vendeve anëtare të BE, mes tyre edhe Gjermania, thanë thjesht se ‘duhet pak më shumë kohë për të parë ç’po ndodh në Shqipëri, sepse sapo ka ardhur në pushtet një qeveri e re, që duket krejt mirë, ndërsa rotacioni i pushtetit nuk pati problem’. Qëndrimi aktual pozitiv i Gjermanisë i detyrohet – sipas tij – modernizimit e vazhdimit të reformave”.
Ashtu si zëvendës/drejtoresha e Organizatës së Europës Juglindore, Joana Deimel, një ditë më parë, edhe Hoffman përmend aksionin e policisë në Lazarat, si ilustrim të pohimeve se ka një përshtypje të përgjithshme, që Shqipëria ka bërë progres, çka përligj dhënien e statusit.
Ambasadori paralajmëron, megjithatë, se Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë. “Kur lexon përfundimet e Këshillit, kuptohet qartë se çfarë sfidash e presin, – thotë ai. – Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ku Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë shumë, për të hapur negociatat me BE dhe, natyrisht, do të duhen shumë përpjekje”.
Hoffman, i cili ka qenë historian, thekson gjithashtu se vendi ynë ka një problem me imazhin, të cilin duhet ta ndryshojë. Pas marrjes së statusit, sfida më parësore për hapjen e negociatave – sipas tij, – mbetet reforma e gjyqësorit, që do të thotë gjithashtu luftë kundër korrupsionit në gjykata.
Top Channel