2 milion e 648 mijë lekë janë gjetur pasditen e së hënës, të fshehura në një tunel në fshatin Kordhocë në Lazarat.
Kanë qenë forcat e policisë, të cilat gjatë kontrollit të territorit përreth banesës së një personi në këtë fshat, gjetën sasinë e parave, të cilët u bllokuan me cilësinë e provës materiale.
Me herët gjatë ditës, një oficer policie u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Gjirokastër i dyshuar se ka shpërdoruar detyrën me qëllim përfitimin gjatë shoqërimit të mjeteve të bllokuara në Lazarat.
Oficeri i arrestuar është Inspektori, Lorenc Alia, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Gjirokastër. Sipas të dhënave një automjet i bllokuar në Lazarat nuk është dërguar në komisariat, por është dërguar me karotrec në një tjetër destinacion.
Ndërkohë, kontrollet në çdo cep të Lazaratit po vijojnë në shkallë të gjerë, në ndihme të policisë ka shkuar edhe një skuadër e xheniereve të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët po identifikojnë me anë të mjeteve të posaçme vendet ku mund të jenë fshehur armë e municion.
Sipas Policisë së Shtetit deri më tani sasia e drogës së sekuestruar ka shkuar në 46,5 ton, si edhe mbi 133 mijë fidanë.
Policia thotë se deri më tani janë sekuestruar 236 armë automatike e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 15 mitralozë, ndërkohe që e konsiderueshme është edhe sasia e municioneve të gjetura jo vetëm nepër banesa, por edhe të groposura përgjatë momenteve të fundit, sapo policia nisi të avancojë në brendësi të fshatit.
Megjithatë për këtë sasi të madhe armësh pritet të kryhet ekspertiza në Laboratorin e Kriminalistikes në mënyrë që të evidentohen gjurmë papilare për të dokumentuar e provuar identitetin e personave që kanë qëlluar në drejtim të policisë.
Ndërsa totali i shtëpive të kontrolluara shkon në 581, vetëm gjatë kësaj të hëne janë kontrolluar mbi 50 banesa, ku përveç municioneve e drogës ka bllokuar dhjetëra targa makinash që përdoreshin për automjetet gjatë transportit të drogës për ta nxjerrë jashtë territorit të fshatit, por edhe jelekë policie si edhe makineta të lojërave të fatit
E ndërsa numri i të arrestuarve ka shkuar me 22, ndërkohë që policia thotë se gati 30 të tjerë janë në kërkim, Prokuroria pohon se janë marrë në pyetje 60 persona nga rrethe të ndryshme që janë gjetur në Lazarat dhe që dyshohet se paguheshin si punëtore për mbjelljen e bimës narkotike.
Prokuroria thotë se ata kanë rrëfyer emrat e njerëzve që i kanë paguar dhe për llogari të kujt punonin. Deri më tani tek krimet e rënda konfirmohet në rrugë jo zyrtare se do të hetohen pesë persona nga Lazarati për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentative, ndërkohë që pjesa tjetër pritet t’i kalojë Prokurorisë së Gjirokastrës për akuzat e armëmbajtjes, kultivimit të bimës narkotike dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
Top Channel