Nuk e duan “Parkun e paqes”

22/06/2014 00:00

Zijadin Gashi, Radio Europa e Lirë – Zëvendësimin e barrikadës me rërë e gurë me një tjetër që duket në formën e parkut, të ndërtuar mbi urën kryesore të lumit Ibër që ndan jugun dhe veriun e qytetit të Mitrovicës, banorët e atjeshëm e shohin në mënyra të ndryshme.

Qëllimi i ndërtimit të këtij parku mbi urë, sipas banorëve, është shumë i qartë, ngaqë përmes tij pamundësohet liria e lëvizjes dhe qarkullimit me automjete e mjete motorike nga jugu në veri dhe anasjelltas. Komuna jugore e Mitrovicës përbëhet nga popullata me shumicë shqiptare, përderisa në atë veriore shumicën e përbën komuniteti serb.

Ndërtimi i parkut të çuditshëm mbi urë, ishte një vepër e lidershipit lokal serb të veriut të Mitrovicës dhe qeverisë së Serbisë. Përveç vazove me lule, tani aty po ndërtohen edhe mbajtëse betoni për dheun që do të bartet për mbjelljet e reja.

Armend Syla, një qytetar nga Mitrovica, thotë se një barrikadë e tillë paraqet pengesë serioze për qytetarët e të dyja anëve të qytetit.

“Kjo po shihet shumë keq. Nuk ka kund në botë që bllokohet ura. Këtu duhet të kalojnë veturat, autobusët, njerëzit. Nuk e di se çfarë mendimi kanë a çfarë janë duke bërë kështu?! Ne e mirëpritëm shumë kur u hoq rëra, zhavorri, e tash është shumë keq prapë”, thotë ky banor i Mitrovicës Jugore.

Edhe Sylejman Morina, banor i Mitrovicës, mendon se një park i tillë është një rast unik që ndodh, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Për këtë veprim ai fajëson lidershipin serb nga veriu dhe nuk kursen nga kritikat as faktorin ndërkombëtar për tolerimin e veprimeve të tilla.

“Nuk po mund ta kuptojmë se si e kanë ndërtuar mbi urë një park! Mendoj se kjo është hera e parë jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë që mbi urë ndërtohet një park. Është një joseriozitet i bashkësisë serbe, por edhe i asaj ndërkombëtare që i toleron të bëjnë këso veprimesh. Po them, joseriozitet i serbëve, të cilët po tallen edhe me popullin shqiptar, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, pohon Sylejman Morina.

Në anën tjetër, banorët serbë nga veriu, mendojnë se parku mbi urë nuk është zgjidhje. Sipas tyre, ende nuk janë krijuar kushtet që ura të lëshohet për qarkullim, kështu që kanë drojë se ky park mund të largohet.

Serbët e veriut, pëlqejnë ruajtjen e barrikadës së vjetër, për të pamundësuar lëvizjet nga jugu në veri dhe anasjelltas.

Dragan Beleviq, një banor nga veriu i Mitrovicës, thotë se vendosja e parkut mund të jetë një veprim i përkohshëm dhe druan se ura shumë shpejt mund të lëshohet për qarkullim.

“Më mirë të kishte qenë një barrikadë e mbyllur dhe të mos lejohet kalimi në asnjërin drejtim, as poshtë e as lart”, thotë Dragan Beleviq.

Ndërkaq, një i ri tjetër nga veriu i Mitrovicës me emrin Nikola Petroviq, thotë se parku ka qenë një investim i kotë, pasi ai do të largohet shumë shpejt:

“Koha e paqes përfundimisht nuk ka ardhur. Ky park është një marri dhe hedhje e parave kot. Nëse kanë dashur që të hapin urën për qarkullim, nuk është dashur fare të investojnë në këtë park”.

Barrikada me rërë e gurë mbi këtë urë ishte vendosur nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, në kufi me Serbinë.

Kurse, në mëngjesin e 18 qershorit të këtij viti, ajo barrikadë u hoq, por më pas, lidershipi serb i veriut dhe përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë u përkujdesën që mbi urë të vendoset një barrikadë tjetër, por tani në formën e parkut.

Madje, e kishin quajtur atë edhe si “Parku i paqes”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA