Nigeria u prish “ëndrrën” boshnjakëve

22/06/2014 00:00

Debutuesit e Bosnje-Hercegovinës i kanë thënë lamtumirë Botërorit të Brazilit pas vetëm dy ndeshjesh të zhvilluara, pas humbjes 1-0 të pësuar prej Nigerisë. Goli në pjesën e parë nga Peter Odemwingie rezultoi i mjaftueshëm për të mbajtur gjallë shpresat e “Super Shqiponjave” për raundin e ardhshëm, të cilëve do t’iu duhet edhe 1 pikë në ndeshjen e fundit në grup.

Duke qenë se Argjentina e kishte siguruar kualifikimin nga grupi F, gara ende e hapur ishte për të rrëmbyer vendin e mbetur… Të dy ekipet zbritën në fushë me synimin për të sulmuar dhe, kur Haris Mendunjanin u ndëshkua me të verdhë për shkak se rrëzoi Ahmed Musa, Peter Odemwingie, i cili la përshtypje të mira si zëvendësues kundër Iranit, gjuajti goditjen e dënimit vetëm pak jashtë portës.

Boshnjakët ishin gjithnjë në kërkim të rezultatit, aq shumë të nevojshëm prej tyre, dhe zhvilluan një lojë tërheqëse falë dyshes në mesfushë Miralem Pjanic dhe Muhamed Besic, por kampionët afrikanë nuk u dorëzuan aspak.

Edin Dzeko kishte rastin më të mirë për të kaluar në avantazh ballkanasit, pas topit të marrë prej Misimovic, por edhe pse kaloi Vincent Enyeama, u ndal nga ngritja e flamurit të verdhë prej anësorit. Sërish në një rast të mëvonshëm ishte portieri veteran nigerian, ai që i mohoi sulmuesit të Manchester City-t të shënonte në këtë debutim në Botëror.

Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e nigerianëve, falë golit të Odemwingie, i cili i shënoi shokut të tij të skuadrës Begovic, një gol i cili rezultoi jetësor për Nigerinë, pasi rezultati nuk ndryshoi deri në përfundimin e takimit.

Safet Susic bëri gjithçka mundej, duke aktivizuar edhe Salihovic dhe Ibisevic, dy lojtarë që aktivizohen në Gjermani me ekipet e Hoffenheim dhe Stuttgart, për të shfrytëzuar eksperiencën e tyre, por askush nuk mundi të gjejë rrugën e rrjetës.

Tashmë Nigerisë i duhet vetëm 1 pikë me Argjentinën për t’u kualifikuar si e dyta e grupit F, ndërkohë që mund të kualifikohet edhe nëse mposhtet nga Messi & Co, në rast se Irani nuk arrin të fitojë ndaj Bosnje-Hercegovinës në takimin e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA