Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kreun e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha.
Hoxha u arrestua mbrëmjen e së enjtes nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “me burg” me argumentimin se rrezikoheshin provat e siguruara në dosjen hetimore.
Florenc Hoxha u arrestua me urdhër të Gjykatës së Tiranës pasi në vetëm tre muajt e fundit janë ngritur gjashtë kallëzime penale nga qytetarët ndaj tij. Ai akuzohet se ka ndërhyrë për prishjen e ndërtimeve pa leje në mënyrë selektive.
Po në mesditë përpara Gjykatës së Tiranës është paraqitur dhe drejtori i INUK, Zyhdi Dajti, ndaj të cilit po ashtu gjykatësi Artan Laze kishte dhënë masën e sigurisë në mungesë “arrest në burg” po për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Avokati mbrojtës i Dajtit kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në “Detyrim paraqitje”, kërkesë kjo e cila u pranua nga ana e Gjykatës dhe u bë lirimi i menjëhershëm i drejtorit të INUK, Zyhdi Dajti.
PD: Gjyqësori në shërbim të Ramës
Pas vendimeve të gjykatës për dy zyrtarët e lartë të strukturave të Urbanistikës, Zyhdi Dajti dhe Florenc Hoxha, reagoi edhe Partia Demokratike. Zëdhënësja e saj Laura Vorpsi tha se lirimi i drejtorit të INUK-ut dhe lënia nën arrest e drejtorit të Inspektoriatit të Bashkisë së Tiranës është dëshmi e vënies së gjyqësorit në shërbim të Edi Ramës.
“Gjyqësori shqiptar ka dhënë një sinjal negativ si dorëzim në duart e Edi Ramës, duke i lënë të lirë zyrtarin e tij. Ndërsa zyrtari i opozitës lihet në masë arresti. Ky është një zhvillim negativ për vendin. Gjyqtari Artan Lame është një shërbëtor i devotshëm i PS, por këtë herë ai dërgoi mesazhin se zyrtarët e Edi Ramës nuk mund të arrestohen, gjykohen dhe dënohen”, deklaroi Vorpsi.
Dajti: Është hakmarrje për kompleksin Jon
“Do vazhdoj betejën për të vënë drejtësinë në vend”
Në një prononcim për mediat pas seancës, Dajti tha se do të vazhdojë betejën gjyqësore, për të vënë në vend, siç tha ai, drejtësinë dhe dinjitetin e tij.
“Beteja ime për të vendosur drejtësinë dhe dinjitetin do vazhdojë. Në të gjitha detyrat që kam patur kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin”, deklaroi Dajti.
Ai tha gjithashtu se, shpreson që ky proces gjyqësor të mos jetë një hakmarrje politike ndaj tij. “Shpresoj që akuzat ndaj meje të mos jenë hakmarrje e atyre që humbën paratë e pista të investuara në kompleksin Jon”, tha Dajti.
Më tej kreu i INUK i bëri thirrje prokurorit të përgjithshëm që të çojë para drejtësisë ata që ai i cilësoi si “shkelësit e mëdhenj të ligjit”.
Top Channel