KESH “dëbon” bizneset e mëdha

21/06/2014 00:00

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm të gjitha bizneset e lidhura në tensionin e mesëm nuk do të blejnë më energji me tarifa të rregulluara nga kompania e shpërndarjes.

“Ata do jenë subjekt të kontratave bilaterale me tregtarët dhe do ketë kontakte mes tyre dhe privatëve. Ata nuk do punojnë më me CEZ, por do jenë të lirë të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në treg”, deklaron Entela Çipa, këshilltare në Ministrinë e Energjitikës.

Masa është e parashikuar në ligjin e ri për sektorin energjetik dhe lehtëson jo pak kompaninë publike KESH nga detyrimi për të siguruar energji.

“Ata përbëjnë rreth 20 për qind të tregut, ata janë të lirë dhe kjo pjesë e konsumit zë 25 për qind”, sqaron Çipa. Por edhe pse nuk do të marrin më energji nga CEZ, bizneset do të vazhdojnë të përdorin linjat e saj dhe për këtë do të paguajnë një tarifë. “Duhet të aplikohet një tarifë e re e shpërndarjes, sipas konsumimit dhe pas diskutimit kjo mund të miratohet deri në përputhje me ligjin se si do të bëhet hapja e tregut”, shton Çipa.

Ministria thotë se ligji i ri përmbush dhe zbaton detyrimet që Shqipërisë i rrjedhin nga Traktati i komunitetit të energjisë.

Përmes liberalizimit qeveria shpreson ta lehtësojë KESH-in edhe nga detyrimi për të blerë energji nga HEC-et private, të cilët me daljen e bizneseve në treg do të kenë më shumë mundësi për të shitur energjinë.

Top Channel