Lazarati, patriotizëm me… kanabis?

19/06/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Ndërsa Policia e Shtetit ka nisur një operacion për çrrënjosjen bashkë me mijëra rrënjë kanabis edhe  “Republikën e drogës” në Lazarat, kundër saj po hidhen jo vetëm predha antitank, plumba luftarakë, por edhe sharje në Facebook?

Në përpjekje për të mashtruar opinionin sikur Lazaratit po i bëhet një padrejtësi pretendohet, ndër të tjera, se ky fshat paska shpëtuar Jugun e Shqipërisë nga ekspansioni grek. Thuhet se po të mos ishte Lazarati, kufiri i Shqipërisë do ishte në Elbasan! Dhe ky kontribut patriotik e bëka edhe më të padrejtë ndërhyrjen e policisë kundër drogës në Lazarat?! Dihet që patriotizmi bëhet, jo rrallë, streha e fundit e sharlatanëve. Por deri më sot nuk është parë e dëgjuar që kriminaliteti të shërbejë si haraç për patriotizmin!
 
***
 
Që në krye të herës duhet thënë se as policia dhe as qeveria nuk ka ndonjë hasmëri me Lazaratin dhe lazaratasit që janë pjesëtarë të Republikës së Shqipërisë. Asgjë e veçantë nuk po bëhet ndaj Lazaratit. Është fakt që qeveria është e angazhuar fort këtë sezon që t’i japë fund traditës së paligjshme të kultivimit të drogës kudo në Shqipëri pra, edhe në Lazarat. Është fakt se policia ka zhvilluar këto kohë operacione për shkatërrimin e mbjelljeve të drogës edhe në krahina të tjera të vendit dhe jo vetëm në Lazarat. E veçanta në Lazarat nuk ka të bëjë as me policinë dhe as me qeverinë, por me rezistencën e armatosur, si askund tjetër, të një grupi elementësh të kriminalizuar ndaj policisë. Një rezistencë mafioze, e tipit të bandave të Eskobarit, që është premisë e rrezikshme incidentesh tragjike. Te kjo kundërvënie me armë ndaj policisë dhe shtetit duhet ta shohë edhe opozita politike rrezikun e humbjes së jetës së njerëzve dhe jo te aksioni ligjor i policisë. Deklarata e ish-ministrit të Brendshëm, Noka, se policia do mbajë përgjegjësi nëse ka viktima është në fakt, një kundërvënie ndaj policisë. Pra, edhe ndaj shtetit.
 
***
 
Po le të ndalemi te pretendimi se Lazarati paska shpëtuar Jugun e Shqipërisë nga shovinizmi grek. Lazaratasit kanë pa dyshim kontributin e tyre për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Por ky kontribut nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë, në asnjë rast, ekskluzivitet i tyre. Në mbrojtjen e trojeve ka kontribut historik gjithë popullsia, jo vetëm e Jugut, por edhe e Veriut, e gjithë Shqipëria. Kontributet patriotike të gjithkujt as nuk duhet të diskriminohen dhe as duhet të privilegjohen. Sepse në rast se themi që Jugun e ka mbrojtur vetëm Lazarati po të tjerët ç’kanë bërë? Dhe pse Lazarati na paska meritë më shumë se fshatrat apo krahinat e tjera? Të gjithë e kanë mbrojtur Shqipërinë si shqiptarë. Atëherë ku qëndron e veçanta e Lazaratit? Mos vallë duan të thonë se lazaratasit e kanë mbrojtur më mirë Shqipërinë nga greku se janë myslimanë ndërsa popullsia tjetër e jugut, një pjesë e të cilës është ortodokse, nuk e ka mbrojtur për shkak se kanë një fe me grekët? Por po pranove një tezë të tillë, edhe një hap të ndan nga teza se “ortodoksët shqiptarë janë grekë”. Një tezë është antishqiptari sepse ka qenë përralla shekullore e përhapur nga osmanët, shovinistët grekë dhe serbë. Kur bëhet fjalë për patriotizmin ai ka vetëm një fe, shqiptarinë!
 
***
 
Por le të pranojmë për një moment se Lazarati paska merita të veçanta në shpëtimin e Atdheut. Por mos kjo se i jep të drejtën të groposë sot shtetin shqiptar? Sepse të mbjellësh kanabis do të thotë pikërisht të groposësh shtetin. Sepse do të thotë jo vetëm të shkelësh ligjin e shtetit, por edhe të ushqesh mafien që është kanceri i çdo shteti. Dhe të shkelësh ligjet e shtetit tënd për të mbjellë drogë që ushqen përbindëshin e mafies dhe rrënon jetë njerëzish, nuk është aspak patriotike. Turp policisë! – shkruhej në një faqe Facebook-u. Është e kundërta, lazaratasit duhet të ndihen të turpëruar sot (dhe këtu flas për njerëzit e ndershëm të atij fshati që me siguri janë shumica dhe jo për mafiozët e drogës që nuk njohin pendim), që kanë toleruar për kaq vjet që në komunitetin e tyre të zhvillohet një nga “bizneset” më të zeza, më të përgjakshme të kohëve tona. Lazaratasit duhet të ndihen në borxh ndaj Shqipërisë dhe emrit të saj që sot është njollosur edhe nga fakti që Lazarati përmendet në mediat e botës si “Republika e drogës”. E çfarë patriotizmi qenka ky që në vend se t’ia lartësojë, ia poshtëron figurën Atdheut? Sot shqiptarët akuzohen nga armiqtë e tyre klasikë se nuk janë të aftë të ndërtojnë shtet. Dhe aftësia për të ndërtuar shtet qëndron te respektimi i ligjit. Prandaj të shkelësh ligjin duke mbjellë drogë është të mbjellësh më të keqen për Shqipërinë. Të mbjellësh mafien dhe të rrënosh shtetin. Prandaj themi se kultivuesit dhe tregtuesit e drogës nuk mund të jenë patriotë. Edhe kur janë nga Lazarati.
 
***
 
Ka që mendojnë se lazaratasit nuk kanë punë, nuk kanë me se të jetojnë prandaj mbjellin e tregtojnë drogë. Kam parë edhe disa të rinj lazaratas, në një bashkëbisedim me autoritete lokale dhe të policisë, që sugjerimit të tyre për t’i këshilluar prindërit të mos mbillnin drogë, ju përgjigjën: Po ne me se do të jetojmë nëse shteti nuk hap vende pune? Është e drejtë e Lazaratit, si edhe e të gjithë fermerëve shqiptarë të kërkojnë nga qeveria të ndjekë politika që mbështesin prodhimin bujqësor në tokat e tyre. Por edhe dobësia e politikave të qeverisë nuk është një justifikim që toka e Lazaratit, toka e Shqipërisë, të përdorët për të mbjellë krimin.
 
***
 
E dimë që Shqipëria është një vend me ekonomi të varfër. Por a është varfëria një justifikim për krimin? Shumica e shqiptarëve sot, jo vetëm në Lazarat, por në të gjithë Shqipërinë, në fshatra e qytete, janë të varfër po të krahasohen me standardet e Perëndimit. Por a është kjo varfëri një licencë për të kryer aktivitete të paligjshme deri edhe kriminale? Do të ishte njësoj si të thuash se kushdo që nuk ka para ka të drejtë t’i vjedhë ato, ka të drejtë të bëjë një krim kundër një njeriu tjetër. Që do të thotë një krim kundër ligjit, shtetit dhe Shqipërisë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA