
Bizneset që kanë qenë korrekte me autoritetet fiskale do të kenë trajtim të privilegjuar në doganë. Qeveria ka çuar për votim në Parlament kodin e ri doganor, i cili u jep bizneseve të ndershme statusin e operatorëve ekonomikë të autorizuar.
“Mjafton që ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet nga zyra e tyre e regjistruar. AEO-të gjithashtu mund të lejohen të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur operatori paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja që AEO-ja të bëjë paraqitjen fizike te mallrave”, ka deklaruar ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Sipas ministrit Cani, kodi i ri përveçse thjeshton lëvizjen e mallrave dhe proçedurat, mbron biznesin nga arbitrariteti i doganave.
“Në proçedurën e apelimit hiqet ajo që ekziston sot, që kush apelon duhet të paguajë 40 për qind të vlerës. Mbi bazën e garantimit mund të realizohet ajo që subjekti të vijojë apelimin pa bërë pagesën”, nënvizoi Cani.
Por deputeti socialist Anastas Angjeli, në cilësinë e relatorit, tha se qeveria duhet t’u japë zgjidhje edhe dy çështjeve të tjera që shqetësojnë biznesin.
“Fjala është për mbledhjen e akcizave dhe TVSH-së që mbeten në dogana. Kjo nuk është një praktikë e mirë sepse cënon biznesin. Së dyti, çmimet e referencës mbeten ende hapi i parë. Duhet të qartësohen”, deklaroi Angjeli.
Kodi pritet të votohet javën e ardhshme. Gjasat janë që gjatë diskutimeve nen për nen deputetë të maxhorancës të kërkojnë përfshirjen në të edhe të një neni, i cili kufizon doganierët në përdorimin e çmimeve referencë.
Top Channel