Fatos Baxhaku – Jetë e mot, teksa niste Kampionati Botëror i Futbollit, ne i harronim hallet, harronim se nuk kishim shumë tesha për të veshur, se kishim pak bukë për të ngrënë, se nuk e dinim se çfarë ndodhte nesër…
Ishte një festë e bukur, e mbushur plot me ngjyra, emocione, himne kombëtare, flamuj. Bota, befas, bëhej më e vogël dhe njerëzit më të mëdhenj, më të dashur e më të afërt, ani pse i shihnim nga ekrani plot “miza” i televizorëve tanë të lodhur.
Futbolli na bënte pjesë të botës së madhe, asaj që ndodhej matanë gardhit prej telash gjembaçë. Kështu ndodhte para periudhës, që shumë optimistë kanë nisur ta quajnë “e demokracisë”, të tjerë “e tranzicionit” e të tjerë e akoma “e paskomunizmit”. Kështu duhej të ndodhte edhe këtë vit. Më në fund, zhurmat e betejave politike nuk do të kishin minutat dhe vëmendjen e duhur, portretet e kudondodhura dhe super të ditura do të na linin për do kohë rehat të shijonim me nge bashkë me shokë e miq, me ndonjë birrë përpara, këtë festë që pushton planetin një herë në katër vjet. Një muaj, një muaj, po ku po ma gjen se!
Mirëpo nuk ndodhi kështu, vëmendja e shqiptarëve sot është e ndarë mes asaj që ndodh në Botërorin e Futbollit dhe krismave që dëgjohen nga një fshat i Jugut, të shumëpërfolurit, bëmëmadhit, sypatremburit, atij që “nuk ia ha qeni shkopin”, atij që nuk pyet për shtet, atij që i duket vetja pasues i Ali Pashë Tepelenës: Lazaratit. Më në fund, shteti vendosi t’u bëjë të qartë edhe atyre anëve se në një vend europian nuk mund të jetë askush mbi ligjin. Gjithë këto ditë sytë e mendjet e shqiptarëve janë ndarë mes asaj, që po ndodh atje dhe asaj, që po ndodh me mijëra kilometra larg, ndër xhunglat e Brazilit. Duket sheshit se shumica e njerëzisë janë në krah të Policisë – dhe kjo duhet theksuar, as në krah të Ramës apo të Tahirit, po në krah të Policisë e të Rendit, të policëve të thjeshtë që po vënë kokën në rrezik në çdo minutë – shumë presin me ankth se si do të mbarojë ky aksion në shkallë të gjerë, shumë i luten Zotit që e gjithë kjo histori e stërgjatur të mbarojë pa viktima të pafajshme, shumë të tjerë, sikurse e kemi zakon jetë e mot, nisin të stisin lloj-lloj histori komplotesh. Më të zellshmit në këtë pikë janë ata që e kanë politikën si ajri e si uji. E meqë jemi te politika dhe te Lazarati në të njëjtën kohë le të rrëfejmë një histori fare të shkurtër që lidhet me të dyja.
Andej nga fillimi i Presidencës së parë Berisha, një grup lazaratasish, me në krye më të moçmin prej tyre, mbërriti te kangjellat e Presidencës në Tiranë. Kërkuan një takim urgjent “me Saliun, se ashtu është një punë”. Sigurisht që Presidenti i një vendi, qoftë ky edhe Shqipëria e atyre viteve, nuk mund të takohet aq kollaj. Po lazaratasit ishin të vendosur që të bënin të tyren dhe të mos ktheheshin në fshat pa mbaruar punë, kështu që u stacionuan në një nga lokalet, i cili asokohe ishte përballë Presidencës. Këtu pritën me durim do ditë, deri sa njerëzit e Berishës u dorëzuan dhe i ftuan brenda. Ai, “Saliu”, ishte gati t’i priste për pak minuta. Pas përshëndetjeve të para e ka marrë fjalën më i moçmi i lazaratasve: Ore Sali, se të kemi si djalin tonë. (Vini re fjalorin: ore Sali, në vend të Zoti President). Na premtove ujë e drita në këmbim të votës që të dhamë. Ku i ke? Kanë kaluar disa muaj dhe s’është bërë asnjë gjë! Presidenti, apo “Saliu”, është munduar t’u shpjegojë mysafirëve se demokracia dhe progresi është një rrugë e gjatë, se diktatura na ka lënë në pikë të hallit, se… “Ore Sali – ia ka prerë plaku, që kishte edhe një nip të tijin në krah – do e bëç mirë këtë punë ku të vumë, apo të vë nipin tim në vendin tënd. Njësoj e kam unë. Doktor ti, e doktor im nip. Ka mbaruar shkollë të lartë ky! Është veteriner me të lartën në Kamëz!”.
Kjo histori, në mos qoftë e vërtetë, është e gjetur fare bukur. Me këtë ton u flisnin lazaratasit njerëzve të pushtetit këtu e 20 vjet. Ndodhte kështu, sepse Lazarati konsiderohej si “kështjella e PD” në një zonë kryesisht të majtë, apo sikurse quhet me gjysmëshaka në “Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër”. Kështu vazhduan lazaratasit të bindur se ishin të pacenueshëm, në kohë qeverisjesh të PD-së, po se po, por edhe kur ndodhte të vinte ndonjë qeveri e PS, Policia ishte fort e brishtë. Lindi kulti i pacenueshmërisë së Lazaratit, njësoj sikur të kishim të bënim me qenie gjysmënjerëz e gjysmëperëndi dhe jo me njerëz, çobanë të thjeshtë, njësoj si ne vetë.
I njëjti ish-president, që lazaratasit e thërrisnin “O, Sali”, dje u ngatërrua edhe një herë më kot me këmbët e veta. Më e bukura është se këtë s’ia kërkoi askush. Dje “Saliu” shkroi disa gjëra me fort rëndësi. Ai tha se lista e personave të shpallur në kërkim nga Policia nuk është ajo e vërteta, se operacioni është i dështuar ngaqë është dekonspiruar nga brenda dhe se po ushtrohet dhunë ndaj popullsisë civile. Me një fjalë “Saliu” e ditka që ka një listë edhe më të përpiktë dhe se në mes të Policisë ka spiunë që lajmërojnë fshatin!
Më e para nga të gjitha, çfarë i duhet një njeriu e mjeku të nderuar, një figure historike, një ish-presidenti e ish-kryeministri të merret me gjëra të tilla, që nuk i njeh aspak, sikurse janë operacionet e Policisë? Përse ia bën këtë autogol vetes? Pastaj, nëse ka kaq shumë dijeni për emrat e trafikantëve, përse nuk ua jep ato prokurorisë a Policisë?
Me sa duket, këtë autogol fatal e ka vuajtur edhe vetë PD-ja. E kemi thënë e stërthënë dhe do të vazhdojmë ta themi deri në mërzi, se kjo parti, opozita në përgjithësi, është pasuria e vërtetë e këtij vendi. Ekzistenca e opozitës është ashti i demokracisë, është ajo çka na kujton se nuk jetojmë në Korenë e Veriut të Kim Ir Senit III, porse që ta luajë këtë rrol duhet të jetë një parti luajaliste, e ndershme, në krah të popullit dhe sidomos në krah të Rendit dhe të Policisë. Qeveritë do të shkojnë e do të vijnë, ministrat aq më shumë, Policia e policët do të jenë gjithnjë atje, duke vënë kokën në rrezik për të na e bërë jetën normale, sikurse e meritojmë. Një deklaratë e prerë kundër krimit, kundër atyre që çojnë armët ndaj Policisë, në favor të luftës kundër narkotrafikantëve, do të ishte gjëja më e drejtë, por edhe më e mençur e mundshme. Kjo do t’u kujtonte horrave se nuk kanë vetëm një ministër a një Kryeministër kundër, por kanë kundër përfaqësuesit e të gjithë popullit, kjo do ta lehtësonte punën e Policisë dhe do të ulte rrezikun e viktimave, por njëkohësisht do të rriste edhe prestigjin e PD-së dhe mijëra anëtarëve të saj të ndershëm anembanë vendit. Kjo, ndodhi, por një deklaratë e ngatërruar mes të qenët me Policinë, por njëherazi të qenët kundër aksionit të ditëve të fundit, nuk e nxjerr opozitën në ballë të kësaj beteje bashkë me forcat e tjera politike. Kështu, për fat të keq, opozita vazhdon të jetë e hutuar pas një “autogoli”, që hyn te gafat e mëdha historike. Meqë jemi në kohë Botërori, ka diçka që nuk funksionon në skemat taktike të PD-së. Gjynah i vërtetë për një pasuri të pashoq mbarëkombëtare.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel