Dasho Aliko, çfarë personazhi

18/06/2014 00:00

Mustafa Nano – Përpara një a dy muajsh, ishte në Tiranë një reporter i një gazete zvicerane.

Kish ardhur për të bërë një shkrim lidhur me Shqipërinë e pas 23 qershorit (ky shkrim është publikuar, tanimë; madje, është përkthyer edhe nga gazetat tona), dhe në një takim që pata me të po më tregonte se ish i skandalizuar nga fakti që në televizionet shqiptare bëhen intervista tête-à-tête që zgjatin një orë apo një orë e gjysmë. Ai kish dashur të takonte një mbrëmje një qeveritar shumë të rëndësishëm dhe ish marrë vesh me këtë të fundit, por nuk kish mundur, ngaqë ai mbeti në një studio TV për nja dy orë e gjysmë. Kaq kish zgjatur intervista. Dhe duke pasur frikë se unë nuk do ta besoja, më thosh se e kish ndjekur live, dhe se e kish matur vetë kohën. Por unë, sigurisht, që e besoja. Madje, i thashë se e di shumë mirë këtë gjë; i thashë edhe që në dy a tri raste e kisha zgjatur edhe unë programin ‘Jamais Vu’, e kisha bërë një orë e një çerek (nga 50 minuta që është normalisht). Dhe u ndjeva pak ligsht, që u desh kjo bisedë me kolegun zviceran që vinte nga një vend, ku zakonisht intervistat televizive tête-à-tête me politikanë nuk zgjasin më shumë se një gjysmë ore, që të ftillohesha. Me sa duket, kjo gjë anormale e absurde më ish bërë si një gjë e natyrshme dhe normale.

Janë të pafundme gjërat këtyre anëve që, edhe pse janë anormale, të rrezikshme, të ndyra, të paligjshme, të liga etj., etj., neve na duken si normale, të parrezikshme, të pastra, të ligjshme, të mira etj., etj. Doni shembuj? Ka plot. Fjala vjen, paratë nën dorë që japim në këmbim të shërbimeve që do të duhej të na ofroheshin falas, ngaqë kemi paguar po ne që këto shërbime të na jepen falas. Ose të fortët apo banditët që bëhen deputetë. Ose ndarja e administratës publike, me qëllim që copat t’u falen partive të mazhorancës, të cilat nga ana e vet ua falin militantëve të tyre. Ose ai i sëmuri psikik që rri gjithë ditën në Facebook në pritje të ditës së enjte, kur i duhet të shkojë me vrap në Parlament për të bërë opozitë me fjalë të pista e me sjellje rrugaçërore. Ose… Lazarati.

E lamë Lazaratin të na rritej e rritej, e të na bëhej si një gjë normale. Një fshat i tërë me disa mijëra banorë, nën hundën e të gjithëve, në harkun e dhjetë a më shumë vitesh, ngadalë-ngadalë, pa u shqetësuar kurrë nga askush, s’ka gjë se të gjithë e kemi ditur, u shndërrua në një plantacion të drogës. Erdhi një moment që nuk po flisnim më mbi këtë gjë. Flisnin të tjerët, po jo ne. Më kujtohet se në një rast kishin ardhur në Shqipëri nja dy djem polakë, a holandezë, dhe të tërhequr nga ideja që diku, në një fshat, të gjithë banorët mbillnin drogë, u futën fshehurazi në këtë fshat, dhe filmuan gjithçka me kamerat e tyre amatore. Filmuan dhe veten në mes të bimëve të harlisura të marijuanës. Dhe bënin gallatë, shí sikur të ishin gazetarë të programit ‘Fiks Fare’. Atyre pra u bënte përshtypje, ndërsa neve jo. Për ne Lazarati kishte kohë që ishte një normalitet, që nuk na binte në sy. Ishim të mësuar me Lazaratin. Me çdo gjë të Lazaratit. Edhe me një farë Dasho Aliko, që drejton punët e komunës atje.

Dasho Aliko nuk është i panjohur. Publiku e njeh, ngaqë Dashoja shfaqet herë pas here në media. Do të duhej të fshihej, të mos e nxirrte fytyrën në shesh, por ai s’e ka për gjë të dalë dhe të japë intervista (jo nga ato dyorëshe; me sa di unë, të paktën). E kërkojnë për shkak të statusit që ka e të detyrës që ushtron. E kërkojnë pra si kryetarin e Komunës së Lazaratit. E mbi të gjitha për t’i bërë ndonjë pyetje mbi atë që ndodh në Lazarat në harkun e shumë viteve. Dhe përgjigjet e Dashos kanë qenë fantastike. Herë ka bërë sikur s’ka ditur gjë, herë e ka mbuluar të vërtetën, herë e ka minimizuar dukurinë, herë ka provuar simpati e mirëkuptim për fshatarët e vet, e në të gjitha rastet ka marrë në mbrojtje kapot e Lazaratit, këta që kanë qëlluar me armë këto ditë në drejtim të policisë, e që nuk besohet, megjithatë, të jenë më banditë se Dashoja vetë.

Për të krijuar një ide mbi Dashon, kam veçuar një përgjigje të tij. “Lazaratasit prodhojnë drogë në mënyrë të paligjshme; prodhojnë drogë jo për t’u pasuruar, por për të mbijetuar; qeveria t’u krijojë hapësira punësimi”, citohet ai nga gazetat të ketë thënë në maj të këtij viti. Shumëkush e ka dëgjuar këtë pohim të tijin, por e ka injoruar me idenë: “Hajt mo, punë Dashoalikoje! Punë Lazarati! Varja!” Dhe e dini më të bukurën? Këtë prononcim ai e ka bërë gjatë një proteste të PD-së në opozitë. Për çfarë bëhej protesta? Bëhej – ec e mos u gajas! – kundër trafikut të drogës, në rrethanat që policia kish arrestuar disa trafikantë të ngecur me avionin e tyre në rërën e Divjakës. Dhe me këtë rast, Dashoja kish lënë Lazaratin, Lazaratin ku prej vitesh nuk mund të hyjë dot ndonjë njeri që s’ka lidhje me drogën, dhe kish ardhur në Tiranë të protestonte kundër trafikut të drogës.

Ky bandill, siç pritej, u bë i gjallë edhe dje a pardje. Dhe në karfosjen mes fshatarëve të armatosur e policisë mori anën e të parëve. Mori anën e fshatit që ai vetë, e njerëz si ai, e kanë kriminalizuar deri në këtë farë feje, ku çdo lazaratas, plak, grua, fëmijë, mësues, polic, bujk, fermer, është thjesht një keqbërës e kundërvajtës. Dhe Dashoja, si “burrë i urtë e i shtruar që është”, i bëri thirrje policisë të mos terrorizojë fshatin, e të mos djegë Lazaratin për mllefin e ndonjë njeriu, për 2-3 persona”. E në fund, po ky, ka gojë e flet për statusin e BE-së. “Jemi para statusit të BE-së, kërkoj nga policia (që të mos prekë) njerëzit e pafajshëm dhe të gjejnë bashkëpunim”.

Ja pra se çfarë ndodh kur anormalja na bëhet normale. Ndodh që edhe një njeri si Dasho Aliko, që është i pari që i ka vënë zjarrin Lazaratit, të dalë e t’i thotë policisë të mos e djegë Lazaratin, ndodh që edhe një njeri si ky, të na tregojë se ç’duhet bërë për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, ndodh që edhe një njeri si ky, të ketë guximin të ngrejë zërin në TV, ndodh, siç ndodhi edhe në maj, që i njëjti njeri i la një copë herë punët e drogës në Lazaratin e tij, dhe erdhi në Tiranë për të protestuar kundër trafikut të drogës.

E mor Dasho Aliko, mos vdeksh kurrë! Tok me Lazaratin tënd!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA