Flamur Kuçi – Është shprehja më e zakonshme që has sot nëpër bisedat e demokratëve të zakonshëm.
E thonë me dëshpërim, e thonë zemërthyer, e thonë të shqetësuar. E thonë, jo pse dëshirojnë që Luli të rrëzohet, por sepse duan që PD të ngrihet. Me gjithë zhgënjimin masiv të njerëzve ndaj Rilindjes, me gjithë kontrollin mediatik, me gjithë blogjet e pilotuara, me gjithë opinionistët e sponsorizuar, Luli fatkeqësisht nuk po e ngre dot…
E thonë mbështetësit e tij, e thonë edhe armiqtë e tij. Por çka është më e rëndësishmja e thonë anëtarët e thjeshtë, ata që në fakt janë aksionerët e vërtetë të PD, aksionerët të cilëve Luli u dërgon ‘aksionistët/koordinatorët’ për t’i ringritur…
Po çfarë duhet të bëjë Luli që ta ngrejë partinë?
Ka dy forma se si mund të ringrihet PD; e para është duke gjeneruar frymëzim, e dyta është duke krijuar rregulla.
Për vite PD është drejtuar si një lëvizje që frymëzonte. Frymëzonte mbi idealet e Dhjetorit. Frymëzonte nga karizma e Berishës. Frymëzonte se mbartte vlerat e shembjes së një regjimi shtypës duke ndërtuar mbi vlerat e lirisë.
Ata që e njohin (qofshin këta miq, përfshirë këtu edhe artikullshkruesin, apo armiq të kryetarit të ri), nuk vënë dot asnjë bast mbi karizmën e tij. Fatkeqësisht, Lulin nuk e njohin si një njeri të fjalës së dhënë e aq më pak asaj të mbajtur. Nuk e njeh njeri as edhe si ndjekës deri në fund i betejave, të paktën i atyre politike. Fatkeqësisht, shembulli i Bashkisë së Tiranës (që duhet të ishte kapitali më i rëndësishëm politik i tij dhe i PD-së) provoi lënien përgjysmë të një beteje politike që duhet të ishte kali i fitores së 2013-s, por që u kthye në një çyryk bashkie me një çyryk administrate, shkaktare kryesore e humbjes së thellë në Tiranë. Madje edhe aksioni politik i kryetarit të ri, i ngjan një gjelle, që po mos të ketë as piperin e liderit historik, mbetet pa kripë dhe pa shije.
Qartazi, frymëzimi nuk do të jetë menyja e pritshme për ringritjen e PD-së, edhe pse PD ka njohur ringritje të tilla më parë.
Forma tjetër është krijimi i rregullave, ndërtimi i standardit dhe kritereve, afrimi i vlerave, hapja e partisë. Kjo kërkon guxim, por siguron jetëgjatësi. Nëse kryetari i PD synon rikthimin e besimit, duhet t’u drejtohet mbështetësve pa frikë dhe pa kompleksin e të qenët në opozitë. Në pushtet vjen dhe aksidentalisht, por PD nuk mund t’i ketë sytë tek aksidentet që mund të ndodhin në mazhorancën e sotshme. Por, mbi të gjitha, e sigurt është që nuk vjen në pushtet duke nxjerrë në ballë profilin e shkaktarëve të humbjes së zgjedhjeve, profilin e të ‘fortëve’ përballë të ‘fortëve’ të Rilindjes, apo blerjet e merkatos së verës nga kampi rozë.
PD është para provave të vështira, por që nëse i adreson siç duhet, ka shansin e rikthimit të besimit të gjysmës së shqiptarëve.
Këto janë në thelb modelet se si mund të ringrihet Partia. Nëse e bëjmë debat publik, edhe mund ta stërhollojmë me detaje, nënkategori apo nënskema. Por në fakt, modelet janë këto dhe janë lehtësisht të identifikueshme. Kështu që nuk mund të thuhet se Luli nuk po e ngre dot, ngaqë nuk di. Luli nuk po bën asnjë përpjekje serioze për t’iu futur punës. Nuk po përvesh mëngët, nuk po heq këpucët lustrafine, nuk po përplaset, nuk po bëhet me baltë, nuk po rrëzohet, nuk po ringrihet, nuk po e ngre zërin, nuk po shkund, nuk po tremb, nuk po frymëzon. Kjo të bën të besosh, se Luli nuk po e ngre se nuk do, ose se nuk e lënë (më duhet ta konsideroj si opsion edhe se urrej të mendoj që kryetari i PD nuk është i lirë).
Ringritja e PD-së do të kalojë përmes kthimit te principet, rregullat e lojës dhe sidomos përmes hapjes ndaj mbështetësve të saj. Halli i PD është që të gjejë forca të ringrihet, halli i individit është të sigurojë pjesën e vet të pushtetit. Është më e rëndësishme që PD të ringrihet sesa të komandohet. Dhe ringritja do të vijë vetëm me ndihmën e bazës së gjerë të mbështetësve, aksionerëve të vërtetë të PD-së.
Top Channel